Prishtinë, 7 maj 2026 – Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, më 9 maj, në një organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, ajo tha se Brukseli pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta, formim të shpejtë të institucioneve dhe avancim të reformave.
“Zoti Kryeministër, e di që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e keni dorëzuar gjatë presidencës çeke të BE-së në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim. Por, më lejoni të jem e sinqertë, Brukseli nuk mund ta japë statusin e vendit kandidat. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, ka thënë ajo.
Palatova ka theksuar se BE-ja pret krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve, krijimin e një qeverie që do ta ketë një shumicë të forte në Kuvend, të vazhdojë reformat dhe të respektojë katarkterin shumetnik të shtetit.
“Për këtë janë të rëndësishme tri elemente kyçe:
Së pari, Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht pas njjë muaji duhet të jenë përsëri të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Së dyti, shpresojmë të shohim formimin e shpejtë të institucioneve. Një qeveri e bazuar në një shumicë të fortë në kuvend, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave. Sigurisht, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare”, është shprehur ajo.
Palatova ka thënë se shtetet anëtare të BE-së e përcjellin me vëmendje mënyrën se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.
“Të gjitha kryeqytetet tona vëzhgojnë ruajtjen e tij [karakterit multietnik të vendit], angazhimin konstruktiv me të gjitha komunitetet joshumicë, në mënyrë që të gjithë kosovarët, pavarësisht përkatësisë etnike, të ndiejnë se kanë një shtëpi dhe perspektivë këtu. Në këtë drejtim, ne mbështetemi në zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së 14 marsit. Dhe e di, zoti Kryeministër, që ju ia rikonfirmuat këtë përfaqësuesit të lartë edhe këtë javë, në Jerevan”, ka thënë Palatova.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se BE-ja pret progres në dialogun e lehtësuar nga Brukseli dhe zbatimin me mirëbesim të marrëveshjeve të arritura deri tashti.
“Ne llogarisim që momentumi që krijon kjo marrëveshje t’i japë një shtysë të mëtejshme zgjidhjeve konkrete dhe progresit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Ne llogarisim që mbi këtë bazë, përmes bashkëpunimit të udhëheqjes së Kosovës me të gjitha partitë politike, statusi i vendit kandidat [për pranim në BE] të bëhet i prekshëm dhe premtimi i Samitit të Selanikut të vitit 2003 të bëhet një perspektivë e arritshme”, ka theksuar Palatova.
Por, ajo ka pranuar se tani janë krijuar rrethana të reja, të ndryshme nga ato të vitit 2003.
“Tani, dua gjithashtu të jem e qartë se Bashkimi Evropian i vitit 2003 nuk është Bashkimi Evropian i vitit 2026”, ka theksuar ajo.
(r.m.)