Në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojnë 22 parti dhe 3 koalicione

Prishtinë, 8 maj 2026 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të premten se në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit do të garojnë 22 parti politike dhe 3 koalicione të përbëra nga 9 parti politike.

Partitë dhe koalicionet kishin kohë të regjistrohen për pjesëmarrje në zgjedhje deri në mesnatën e së enjtes.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, do të garojë sërish në një koalicion me partitë: Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës.

Tri partitë tjera shqiptare që ishin pjesë e kuvendit të shpërndarë më 25 prill (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) do të garojnë të vetme.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me disa kandidatë të ish-partisë së saj, pritet të jetë pjesë e listës së Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas paralajmërimeve, Osmani pritet të jetë edhe bartëse e listës.

Partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje: 1. Partia Socialdemokrate; 2. Kosovaki Nevi Romani Partia; 3. Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve; 4. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 5. Srpska Lista; 6. Yenilikçi Türk Hareket Partisi; 7. Lidhja Demokratike e Kosovës; 8. Fjala; 9. Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës; 10. Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK; 11. Socialdemokratska Unija; 12. Jedinstvena Goranska Partija; 13. Kosova Demokratik Türk Partisi; 14. Nova Demokratska Stranka; 15. Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës; 16. Kosovski Savez; 17. Partia Balliste; 18. Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale; 19. Partia Liberale Egjiptiane; 20. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës; 21. Stranka Demokratske Akcije; dhe 22. Partia Demokratike e Kosovës.

Koalicionet që do të marrin pjesë në zgjedhje: 1. Koalicioni Vakat (Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan); 2. Koalicioni Ashkalitë e Bashkuar (Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim) dhe Koalicioni Lëvizja VETËVENDOSJE (Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane).

Bie në sy se në zgjedhjet e 7 qershorit do të marrë pjesë Partia Socialdemokrate, lista e së cilës pritet të dominohet nga ish-anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje që ishin larguar ose përjashtuar nga kjo parti.

Partia Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila ishte në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e kaluara, nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi ka thënë se afati për aplikim për certifikim të subjekteve të reja politike (koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur), ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 10 maj. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partia politike konsiderohet automatikisht e certifikuar, andaj ky proces do të vlejë vetëm për subjektet e reja politike, që në këtë rast janë koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur.

Elezi ka njoftuar se dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë nga subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) ka filluar më 2 maj dhe do të përfundojë më 12 maj 2026.

(r.m.)