Konflikti tregtar mes BE-së dhe SHBA-së

Bruksel, 9 maj 2026 – Bashkimi Evropian (BE) reagoi me qetësi ndaj ultimatumit të ri për tarifat doganore nga SHBA-ja. Komisioneri i Tregtisë, Marosh Shefçoviç, nuk sheh ndonjë presion shtesë dhe pret një marrëveshje të shpejtë brenda BE-së.

Shefçoviç tha se është kundër një kursi konfrontues me SHBA-në lidhur me tarifat doganore mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.

“Besoj se është shumë e rëndësishme që, në këtë rast të veçantë, gjatë të gjitha negociatave t’u përmbahemi marrëveshjeve që kemi arritur tashmë, sepse kjo u jep siguri të gjitha palëve të përfshira”, tha ai në një intervistë ekskluzive për studion e ARD-së në Bruksel.

Disa grupe në Parlamentin Evropian, si edhe disa shtete anëtare, kërkojnë një qëndrim dhe një qasje më të ashpër ndaj SHBA-së.

Sipas Shefçoviçit, negociatat mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit pritet të përfundojnë në qershor. Dhe ai nuk e konsideron ultimatumin e presidentit amerikan Donald Trump deri më 4 korrik si presion shtesë ndaj BE-së.

“Kjo përputhet plotësisht me afatet tona kohore”, tha ai.

“Të veprojmë në mënyrë pragmatike dhe racionale”

“Ne duhet t’u përmbahemi shifrave, jo emocioneve, dhe të veprojmë në mënyrë pragmatike dhe racionale”, tha Marosh Shefçoviç.

Sipas komisionerit të Tregtisë, BE-ja, pavarësisht të gjitha tensioneve dhe turbulencave dëshiron ta çojë përpara marrëveshjen e Turnberryt të vitit të kaluar.

Marrëveshja e Turnberryt e vitit 2025 parashikon që importuesit nga BE-ja të paguajnë në SHBA një tarifë doganore maksimale prej 15 për qind, ndërsa importet nga SHBA-ja drejt BE-së të përjashtohen në masë të madhe nga tarifat doganore.

Megjithatë marrëveshja ende nuk ka hyrë në fuqi nga pala evropiane. Një nga arsyet janë dyshimet që u shfaqën në Bruksel lidhur me besueshmërinë e SHBA-së si partnere pas krizës së Groenlandës dhe vendimeve të Gjykatës Amerikane të Tregtisë.

Shefçoviç: Në Gjermani rrezikohen vende pune

Marosh Shefçoviç paralajmëroi se në Gjermani mund të rrezikohen vende pune. Ai i hodhi poshtë qartë tarifat shtesë prej 25 për qind për automjetet dhe kamionët, që kërkon tani pala amerikane, duke deklaruar se nuk do të pranohet asgjë mbi tarifën prej 15 për qind për të cilën kemi rënë dakord.

Me këtë qëndrim komisioneri i Tregtisë mbështet kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili së fundmi e ka cilësuar disa herë si “të papranueshme” kërkesën e re amerikane për një tarifë prej 25 për qind për automjetet dhe kamionët.

Sipas Shefçoviçit, duhet kuptuar shumë qartë se sa i rëndësishëm është stabiliteti ekonomik.

“Nëse nuk arrijmë ta realizojmë këtë marrëveshje të madhe për të gjithë, atëherë në Gjermani rrezikohen 54 mijë vende pune në industrinë e automobilave”, tha ai.

(DW)

Comment

*