Prishtinë, 15 maj 2026 – Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politikë në të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt anëtarësimit në bllokun evropian.
Të premten, në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës më 2024, Marta Kos u prit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu dhe kryeministr në detyrë, Albin Kurti.
“Një nga detyrat e mia më të mëdha është të kujdesem për integrim shumë më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian. Thirrja ime shumë e qartë gjatë kësaj vizite është gjithashtu që t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer stabilitetin institucional”, ka deklaruar Kos në konferencën për media, pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Ajo ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të angazhohet edhe me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka një pjesë të negociatave teknike, ndërsa pjesa tjetër lidhet me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë. Prandaj nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa u lodhur për qëllimin që ta afroj Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos.

Ajo ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së lidhet edhe me çështje të sigurisë në rajon dhe në Evropë.
“Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, sepse zgjerimi [ I BE-så] sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me kujdesin për sigurinë në Evropë, me të qenit bashkë, me bashkëpunimin rajonal që e përmendët edhe ju, dhe sigurisht edhe përmes integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos.
Marta Kos ka thënë se procesi i integrimit të Kosovës në BE varet edhe nga dialogu me Serbinë dhe progresi i reformave në vend.
“Sa më e suksesshme të jetë Kosova në zbatimin e reformave dhe sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë–Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të mund t’i fillojmë negociatat, negociatat e vërteta. Pra, kjo është pjesa politike”, ka theksuar Kos.
E pyetur nëse Kosova rrezikon t’i humbasë fondet në rast se nuk krijohen institucionet deri në qershor për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, Kos ka thënë se pagesat varen nga përmbushja e detyrimeve nga Kosova.
“Plani i Rritjes bazohet në një instrument të veçantë financiar, me disa rregulla. Nëse vendi juaj, Kosova, i zbaton detyrimet, atëherë mund t’i merrni pagesat. Jam shumë e lumtur që gjatë kësaj periudhe zgjedhore dhe periudhës së përkohshme, parlamenti juaj ka qenë në gjendje t’i ratifikojë dy marrëveshje të rëndësishme, të cilat sërish e kanë bërë të mundur pagesën e parë, prej më shumë se 60 milionë eurosh”, ka theksuar ajo.
Komisionarja për Zgjerim e BE-së ka thënë se procesi i anëtarësimit të Serbisë në BE do të duhej të kushtëzohej edhe me përgjegjësinë për sulmin e armatosur serb në Bansjkë të Zveçanit.
“Sa i përket Serbisë dhe anashkalimeve që janë bërë në të kaluarën është një pjesë e rëndësishme në mënyrën se si Serbia do ta trasojë rrugën e vet [drejt BE-së]. Përkushtimi i saj për Banjskën dhe moszotimi i tyre nuk është mirë të kalojë si i tillë”, ka theksuar ajo.

Presidenca e Kosovës njoftoi se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Komisionerja e BE-së, Marta Kos, kanë biseduar “për rrugën evropiane të Kosovës dhe për reformat që duhet të çohen përpara”.
“Kosova mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, në interes të qytetarëve tanë dhe të një Evrope më të plotë, më të sigurt dhe më demokratike”, ka thënë Haxhiu.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Kosova ndan vlera të përbashkëta me Bashkimin Evropian dhe është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Ai ka thënë se mbështetja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian është detyrë e përbashkët.
“Gjetja e unitetit brenda Bashkimit Evropian për të marrë vendime karshi Kosovës është detyrë e përbashkët. Sigurisht që ne po punojmë me shtetet anëtarë, por kërkohet që edhe institucionet e Bashkimit Evropian të shtyjnë përpara këtë unitet. Zgjerimi është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Vakumi që len Bashkimi Evropian po synohet që të mbushet nga aktor të tjerë dashakëqij të cilët i minojnë vlerat e Bashkimit Evropian dhe rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët. Prandaj është përgjegjësi e të gjithë neve që Kosova të avancojë në procesin e integrimit”, ka thënë Kurti.
“Nuk po kërkojmë as rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor”, ka theksuar ai.
Kurti tha se me komisioneren Kos ka biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal. Ai ka thënë se Serbia nuk po i realizon obligimet që i ka marrë përsipër në kuadrin e dialogut, madje vazhdon të ofrojë mbrojtje për përgjegjësit për dy sulmet në veri të Kosovës, të cilat ai i ka cilësuar si sulme terroriste.
“Kosova ka përjetuar dy sulme terroriste në tri vitet e fundit. Në Banjskë me 24 shtator 2019 dhe në kanalin Iber-Lepenc, në infrastrukturë kritike, me 2024, që të dyja këto të financuara nga fqinji ynë verior. Llogaridhënia për këto sulme është thelbësore, pasi pa llogaridhënie, rreziku ndaj sigurisë sonë mbetet i lartë. E kemi një fqinj agresor e agresiv që të sulmon në vend se të jetë bashkëpunues, kjo është sfidë sa për sigurinë, po aq edhe për bashkëpunimin rajonal”, ka theksuar ai.
Kurti ka përsëritur kërkesën që Serbia të dorëzojë të akuzuarin kryesor për sulmin në Basnjskë, Milan Radoiçiq, për tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiqit për mosnjohje të integritetit territorial të Kosovës dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Po ashtu, ka kërkuar mbështetjen e Bashkimit Evropian që shqiptarët në Luginë të Preshevës t’i gëzojnë të drejtat që i gëzojnë komunitet pakicë në Kosovë.
“Kërkojmë edhe mbështetjen e Bashkimit Evropian që të drejtat e pakicave dhe të drejtat e njeriut në Serbi të respektohen në mënyrë që të kemi përafërsisht një lloj simetrie në të dyja anët”, është shprehur Kurti.
(r.m.)