Shqipëria bëhet gati për të dërguar trupa në Gazë

Tiranë, 15 maj 2026 – Shqipëria po përgatitet për t’u angazhuar në Rripin e Gazës, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, tha në një konferencë për mediat në Tiranë se një skuadër shqiptare e ka parë situatën në terren.

“Në kuadër të angazhimit në Bordin e Paqes, Shqipëria ka marrë masa për shqyrtimin e situatës në Gaza. Rripi i Gazës është nën sigurinë e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit [IDF] dhe çdo lloj inspektimi trupash atje bëhet përmes Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese dhe ushtrisë izraelite. Kemi dërguar një skuadër për të parë nga afër vendndodhjen dhe situatën në terren, që të kuptojmë se ku dhe si mund të vendosemi”, u shpreh ai.

Nufi bëri të ditur se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë ka përgatitur planin konkret që pritet të zhvillohet në disa nivele dhe faza sa i përket angazhimit të Shqipërisë në Gazë, por nuk zbuloi më shumë rreth tij.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji, tha se aktualisht Shqipëria është në fazën e procedimit dhe hartimit të praktikës dhe dokumenteve ligjore për dërgimin e trupave në mision.

“Shtabi i Përgjithshëm po bën vlerësimin e saktë në lidhje me misionin, detyrat, sigurinë e personelit, rregullat e angazhimit dhe mbështetjen logjistike. Kontingjenti i parë shqiptar që mund të dislokohet në Gazë do të jetë pjesë e shtabit të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, ndërsa më pas do të shqyrtohet mundësia e një kontributi më të gjerë me trupa”, u shpreh Kingji.

Në fillim të majit një grup i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u dërgua në Gazë për të bërë vlerësimin e vendit ku do të veprojë si pjesë e misionit paqeruajtës.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, duke folur për bashkëpunimin mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në fushën e mbrojtjes, tha se ky bashkëpunim po hyn në një fazë më konkrete me tri stërvitjeve të përbashkëta ushtarake që do të zhvillohen gjatë këtij viti.

Kingji tha se dy stërvitje do të zhvillohen në Kroaci, kurse një stërvitje do të zhvillohet në Shqipëri. Ai tha se në këto stërvitje do të marrin pjesë edhe forca të shteteve anëtare të NATO-s.

“Nuk do të jenë vetëm tri shtete pjesëmarrëse [Shqipëri, Kosovë e Kroaci], por do të ketë edhe shtete të tjera nga NATO-ja edhe shtete partnere me të cilat bashkëpunojmë”, tha Kingji.

Ministri Nufi theksoi se Shqipëria mbetet aleate e palëkundur e NATO-s dhe partnere aktive në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Ai bëri të ditur se Shqipëria ka nisur zyrtarisht përgatitjet për organizimin e samitit të NATO-s që do të mbahet vitin e ardhshëm në Tiranë.

“Kemi ngritur një task-forcë për zhvillimin e samitit të NATO-s. Nuk e kemi ende të përcaktuar vendndodhjen e samitit, por NATO merr masa të jashtëzakonshme sigurie për organizimin e këtyre ngjarjeve”, deklaroi Nufi.

(r.m.)

Comment

*