Shkup, 18 maj 2026 – Kabineti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryeministri Hristijan Mickoski ka takuar sot bashkëkryetarët e partisë shqiptare VLEN, Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin. Në takim është biseduar për kërkesën e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Në njoftim thuhet se “institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit”.
VLEN është pjesë e koalicionit qeverisës në Maqedoninë e Veriut.
Takimi u mbajt në ditën që studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestuan në Shkup kundër shkurtimit të së drejtës kushtetuese që provimi i jurisprudencës për studentët shqiptarë të mbahen në gjuhën shqipe.
Provimi i jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut mbahet vetëm në gjuhën maqedonase.
Njoftimi i plotë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut:
Kryeministri Hristijan Mickoski sot mbajti një takim pune me bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilal Kasamin dhe Izet Mexhitin, ku u diskutua çështja e përdorimit të gjuhëve në provimin e jurisprudencës.
U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të mençur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që sjellin përparim, besim të ndërsjellë dhe ecje të përbashkët drejt së ardhmes. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dijet përbëjnë themelin e çdo shteti modern dhe të suksesshëm.
Prandaj, institucionet po punojnë aktivisht për gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, me qëllim të sigurimit të sigurisë juridike dhe funksionalitetit.
(r.m.)