Prishtinë, 21 maj 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj shtatë drejtorëve të institucioneve arsimore dhe shëndetësore, që funksionojnë në Kosovë sipas sistemit të Serbisë, nën dyshimin se kanë ndikuar në vullnetin e lirë të votuesve.
Në njoftim thuhet se personave me inicialet M.D., B.P., Lj.K., M.D., N.R., B.L. dhe S.M. u është caktuar masa e paraburgimit pasi ekziston rreziku real që ata të arratisen, me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale dhe se mund t’i përsërisin veprat penale nëse lihen në liri.
Lista Serbe e publikoi identitetin e shtatë të arrestuarve. Ata janë: Lubisha Karaxhiq, drejtor i shkollës fillore “Milladin Mitiq” në Lllapna Sellë; Boban Petroviq, drejtor i Shkollës së Mesme Elektroteknike në Sushicë; Millica Dimiq, drejtoreshë e shkollës fillore“Braqa Aksiq” në Lipjan; Nebojsha Rashiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Makinerisë në Preoc; Bratisllav Llaziq, drejtor i Qendrës Klinike-Spitalore në Graçanicë; Mirjana Dimitrijeviq, drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë; Sasha Mlladenoviq, drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Gushtericën e Ulët.
Lista Serbe dhe Serbia reaguan ashpër ndaj vendimit për caktimin e masës së paraburgimit. Kjo parti, e cila kontrollohet nga Beogradi, e cilësoi këtë si “përndjekje dhe frikësim të serbëve dhe serbeve të ndershme”.
Reagoi edhe ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar. Ai tha se ky vendim është i motivuar politikisht dhe u zotua për vazhdimin e mbështetjes për institucionet paralele serbe të shëndetësisë në Kosovë.
“Theksoj se Ministria e Shëndetësisë, së bashku me shtetin e Serbisë, do të vazhdojë t’i ndihmojë institucionet shëndetësore serbe në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë edhe më me vendosmëri, dhe se veçanërisht do të kërkojë mënyra për t’i ndihmuar institucionet shëndetësore të prekura”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se shtatë të arrestuarve iu caktua masa e paraburgimit, siç tha, “me urdhër të drejtpërdrejtë politik” të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, me ndihmën e kryetarit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq. Sipas saj, me këtë vendim synohet “goditja e institucioneve serbe të shëndetësisë dhe arsimit, dobësimi i Listës Serbe dhe frikësimi i popullatës serbe para fillimit të fushatës zgjedhore”.
Të dyshuarit u arrestuan më 19 maj me urdhër të Prokurorisë Themelore, e cila ka thënë se ka reaguar sipas detyrës zyrtare, pas raportimit të Rashiqit se Lista Serbe po ushtron presion ndaj mbështetësve të tij dhe po i shantazhon ata.
Prokuroria ka bërë të ditur se shtatë të arrestuarit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në aktivitete të paligjshme që lidhen me veprën për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Rashiq, i cili është ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, th se më 14 maj se rreth 20 persona që e mbështesin atë kanë marrë vendime për largim nga puna, dhe se edhe rreth 40 të tjerë pritet të marrin vendime për largim nga puna vetëm në territorin e komunës së Graçanicës.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës që vepron me mbështetjen e pushtetit aktual në Serbi, i ka mohuar akuzat e Rashiqit. Sipas saj, ai po përpiqet ta “arsyetojë” humbjen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 7 qershor.
(r.m.)