Uashington, 22 maj 2026 – Tulsi Gabbard ka dhënë dorëheqjen nga pozita e drejtoreshës së inteligjencës kombëtare të SHBA-së.
Gabbard e ka njoftuar presidentin Trump për arsyet e dorëheqjes së saj, sot, gjatë një takimi në Zyrën Ovale.
Në letrën e dorëheqjes, të cilën e ka publikuar në plaformën X, Gabbard ka thënë se Presidentit Trump i ishte “thellësisht mirënjohëse” për besimin që ia kishte dhënë dhe për mundësinë për të udhëhequr Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Në letër, ajo është e detyruar të largohet nga kjo pozitë për ta mbështetur bashkëshortin e saj, i cili është diagnostikuar me një formë të rrallë të kancerit të kockave.
“Jam thellësisht mirënjohëse për besimin që Presidenti Trump më dha dhe për mundësinë për të udhëhequr Zyrën e Inteligjencë Kombëtare për një vit e gjysmë të fundit.
Fatkeqësisht, duhet të paraqes dorëheqjen time, e cila hyn në fuqi më 30 qershor 2026. Bashkëshorti im, Abraham, kohët e fundit është diagnostikuar me një formë jashtëzakonisht të rrallë të kancerit të kockave. Ai përballet me sfida të mëdha në javët dhe muajt në vijim. Në këtë kohë, duhet të largohem nga shërbimi publik për të qenë pranë tij dhe për ta mbështetur plotësisht në këtë betejë”, ka shkruar ajo.
Kohët e fundit ka pasur raportime se Gabbard dhe Trump kishin mosmarrëveshje të mëdha rreth luftës me Iranin.
Më herët këtë vit, Trump kishte konfirmuar se ai dhe Gabbard kanë qasje “paksa të ndryshme” mbi aftësitë bërthamore të Iranit.
“Do të thosha se jam shumë i vendosur në faktin se nuk dua që Irani të ketë armë bërthamore, sepse nëse do të kishin armë bërthamore, do ta përdornin menjëherë. Mendoj se ajo ndoshta është pak më e butë në këtë çështje, por kjo është në rregull”, kishte deklaruar Trump.
(r.m.)