Në Kosovë hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë

Prishtinë, 22 maj 2026 – Ligji i ri për Shtetësinë e Republikës së Kosovës ka hyrë në fuqi nga dita e sotme.

Kështu ka bërë të ditur të premten, 22.05.2026, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një video-mesazhi drejtuar bashkatdhetarëve.

Sveçla ka njoftuar bashkatdhetarët se Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës sjell proceduar më të shpejta, më të thjeshta dhe më moderne për aplikuesit.

“Një nga lehtësimet kryesore është rifitimi i shtetësisë për ju bashkatdhetarët, që për arsye objektive jeni detyruar të liroheni nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Nga 9 dokumente që kërkoheshin më parë, tani mjafton kërkesa e plotësuar nga ju si dhe dëshmia se nuk jeni të dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë në shtetin ku jetoni”- ka thënë ai.

Ai ka njoftuar se për shtetësinë mund të bëhet edhe online përmes platformës e- Kosova, ndërsa, sic ka thënë ai, afati i shqyrtimit të kërkesës nga 6 muaj është shkurtuar në 30 ditë.

Ligji i ri për shtetësinë e Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 23 prillit 2026.

(r.m.)