Beograd, 22 maj 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Ai ka thënë se Serbia do ta mbështesë fuqishëm Listën Serbe në këto zgjedhje, ndërsa subjektet politike të serbëve në Kosovë që nuk e mbështesin Listën Serbe i ka cilësuar si “shërbëtorë” të shqiptarëve.
“Ne do të luftojmë. Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona, Ne do të luftojmë për pozitëb e popullit serb. Edhe shqiptarët do të bëjnë gjithçka që munden për t’i mposhtur serbët, për të mbështetur me forcë shërbëtorët e tyre dhe ata që duan ta shkatërrojnë Serbinë”, ka thënë Vuçiq për televizionin shtetëror të Serbisë, transmeton portali kosovo-online.
Vuçiq e ka akuzuar kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për arrestimin e shtatë drejtorëve të institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, të cilët dyshohen për presione e shantazhe ndaj punonjësve të këtyre institucioneve që nuk e mbështesin Listën Serbe.
“Albin Kurti e nisi gjuetinë ndaj serbëve, për shkak të njerëzve që u larguan nga puna për shkak të mosrespektimit të disiplinës në punë. Dhe këtë [gjuetinë] e filloi me arrestimin e serbëve më të respektuar – drejtorëve të shkollave dhe të qendrave shëndetësore”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thwnw se arrestimi i shtatë mbështetësve të Listës Serbe është bërë, siç është shprehur, “me urdhër” të Nenad Rashiqit, ministrit në detyrë për komunitete dhe kthim në qeverinë e Kosovës, të cilin e ka cilësuar si shërbëtor të shqiptarëve.
“Gjithmonë do të ketë serbë që duan të jenë me ata që duan t’i përndjekin serbët”, ka thënë Vuçiq.
Presidenti i Serbisë ka folur me këtë rast edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, formimin e të cilit e ka cilësuar si “obligim të papërmbushur” nga Kosova. Sipas tij, formimi i këtij asociacioni ka të bëjë me “mbijetesën” e serbëve në Kosovë.
“Ka të bëjë edhe me mbijetesën e popullit tonë”, ka thënë Vuçiq.
(r.m.)