Emigracion: Si të shmangni refuzimin e aplikimit për shkak të gabimeve të zakonshme

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Gabimet kur paraqisni një aplikim ose peticion në USCIS mund të çojnë në vonesa ose mosaprovim të çështjes. Duke i kushtuar disa minuta shtesë rishikimit të aplikimit dhe mënyrës së pagesës, mund të kurseni kohë, para dhe të shmangni frustrimin.

Kontrolloni gjithmonë faqen përkatëse të internetit për secilin formular në faqen zyrtare të USCIS-it për t’u siguruar që po përdorni versionin(et) e formularit që pranon aktualisht USCIS-i. Secila nga faqet që i përket një formulari të USCIS-it përmban një seksion të titulluar “Edition Date”, të cilin mund ta hapni për të verifikuar versionin(et) e formularit që aktualisht pranohen nga USCIS-i. Mos harroni ta krahasoni datën që shihni aty me datën e versionit të shënuar në formularin tuaj, për t’u siguruar që po përdorni versionin e duhur.

Nënshkruani dhe datoni gjithmonë formularët me dorë dhe bojë përpara se t’i skanoni ose dorëzoni. Nënshkrimet elektronike lejohen vetëm nëse udhëzimet e formularit e theksojnë në mënyrë specifike diçka të tillë. Shumica e formularëve kërkojnë një nënshkrim të vërtetë, të shkruar me dorë drejtpërdrejt në formular. Mos përdorni emra të shtypur, nënshkrime digjitale, vula nënshkrimi apo imazhe nënshkrimi të kopjuara/ngjitura. Mbani në dosjet tuaja faqet origjinale të nënshkruara me bojë që t’i keni në rast se USCIS-i vendos t’ju kërkojë provë të nënshkrimit origjinal.

Kontrolloni gjithmonë Tabelën Zyrtare të Tarifave të USCIS-it për të konfirmuar tarifën e saktë të aplikimit. Tarifat ndryshojnë herë pas here, ndaj mos u mbështetni te formularët e vjetër ose postimet në internet. Që nga 28 tetori 2025, USCIS-i nuk pranon më çeqe ose money order për pagesat e tarifave të aplikimit. USCIS-i do të pranojë vetëm metodat e mëposhtme të pagesës:

Kartë krediti, kartë debiti ose kartë e parapaguar. Kini parasysh se kjo kërkon që të plotësoni dhe nënshkruani Formularin G-1450, Authorization for Credit Card Transactions. Kur të kryeni dorëzimin, sigurohuni që formularin ta vendosni në krye të paketës së aplikimit, peticionit ose kërkesës që po paraqisni;

Debit ACH nga banka. Kini parasysh se kjo kërkon që të plotësoni dhe nënshkruani Formularin G-1650, Authorization for ACH Transactions. Vendoseni formularin në krye të paketës së aplikimit, peticionit ose kërkesës suaj kur ta dorëzoni. Të gjitha pagesat duhet të bëhen nga një bankë në SHBA dhe në dollarë amerikanë.

Përdorni vetëm një metodë pagese për çdo dorëzim. Mos e paguani një tarifë të vetme pjesërisht me ACH dhe pjesërisht me kartë. Nuk mund të dorëzoni njëkohësisht Formularin G-1650 dhe Formularin G-1450 për të paguar një aplikim të vetëm.

Përjashtim nga Kërkesa për Pagesë Elektronike

Nëse pagesa elektronike nuk është e mundur, mund të bëni kërkesë për përjashtim nëpërmjet Formularit G-1651, të cilin duhet ta përfshini në paketën e aplikimit. Për t’u kualifikuar për përjashtim, duhet të provoni se përmbushni të paktën një nga kushtet e mëposhtme: nuk keni një llogari bankare ose nuk mund të përdorni sistemet e pagesave elektronike; pagesa elektronike do t’ju shkaktonte “vështirësi të tepruar”; pagesa elektronike nuk është e nevojshme ose e dëshirueshme për arsye të sigurisë kombëtare ose zbatimit të ligjit; ose ekzistojnë “rrethana të veçanta” të tjera, siç ka vendosur Sekretari i Thesarit. Nëse kërkesa miratohet, USCIS-i mund t’ju lejojë të paguani duke përdorur një metodë jo-elektronike.

Kur dorëzoni disa formularë, paguani secilën tarifë aplikimi veçmas. Për secilin formular përdorni një formular të veçantë autorizimi pagese. (Tarifa biometrike mund të përfshihet në të njëjtin formular me aplikimin përkatës.) Sigurohuni që keni fonde të mjaftueshme në mënyrë që të shmangni refuzimin ose kthimin e pagesës. Njoftoni paraprakisht bankën tuaj se po bëni një pagesë të madhe për Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (pagesa zakonisht shfaqet si e ardhur nga U.S. Department of Treasury), që të shmangni bllokimin ose refuzimin e transaksionit. Nëse paguani përmes ACH, sigurohuni që llogaria të mos ketë bllokim debiti për tërheqjet ACH të USCIS-it. Nëse transaksioni refuzohet, USCIS-i mund ta refuzojë të gjithë aplikimin.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com 

Comment

*