Preshevë, 24 maj 2026 – Një delegacion zyrtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i udhëhequr nga Keith Self, Kryetar i Nënkomitetit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, pritet ta vizitojë Luginën e Preshevës gjatë muajit maj.
Kjo do të jetë hera e parë që një delegacion i Kongresit amerikan e viziton Luginën e Preshevës. Kjo vizitë po cilësohet si një ngjarje me rëndësi të veçantë politike për shqiptarët e Luginës.
Në Preshevë tashmë janë vendosur billborde mirëseardhjeje për delegacionin amerikan. Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se vizita e delegacionit të Kongresit amerikan është një ngjarje e rëndësishme për rajonin.
Lobi shqiptar në SHBA tha se kjo vizitë është rezultat i angazhimit dhe lobimit shumëvjeçar në Washington për çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Historia po troket në Preshevë”, thuhet në njoftimin e lobit shqiptar në Amerikë, i cili e konsideron vizitën e delegacionit nga Capitol Hill në Luginë si sinjal shprese vëmendjeje dhe mbështetjeje ndërkombëtare për shqiptarët në këtë rajon.
Komiteti për Punë të Jashtme i Kongresit të SHBA në janar të këtij viti miratoi rezolutën mbi të drejtat etnike dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ligji i njohur ndryshe edhe si “Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, për herë të parë e vendosi zyrtarisht diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
Nga politikanët shqiptarë të Luginës së Preshevës, asokohe, ky akt u cilësua si një dokument që ekspozon, pasivizimin administrativ, përjashtimin nga institucionet publike, shtypjen e gjuhës, diskriminimin në arsim dhe margjinalizimin ekonomik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
(r.m.)