
(Recension për librin “Ibrahim Rugova: Poezia shqipe”, mbledhur, sistemuar e përgatitur për shtyp nga Munish Hyseni)
Një mendim i Roland Bartesit tek vepra e tij ‘Mitologjitë’ që siç duket e ka pëlqyer dhe e ka mishëruar Rugova në aktivitetin e tij intelektual e politik, është kjo: “… nuk e di nëse, siç thotë fjala e urtë, gjërat që përsëriten pëlqehen, por besoj së paku se marrin kuptim.” (Barthes, 2016, f. 22).
Të flasim sot për veprën kritike të Rugovës duket më tepër se përsëritëse, marrë parasysh një receptim të vëllimshëm që i është taksur asaj dhe që gjendet i mbledhur me kujdesin dhe akribinë e prof. Munish Hysenit, vepra më e re e të cilit është edhe sebepi që jemi mbledhur këtu. Prandaj shumë më kuptimplote do të ishte ta ndërlidhnim punën e tij me veprën e Rugovës, së cilës ia ka kushtuar një pjesë të madhe të veprimtarisë së tij shkencore. Prof. Munish Hyseni përpos bibligrafisë së vetme dhe pothuajse të plotë (deri në vitin 2016 kur është botuar) të diskursit rugovian si dhe receptimit të tij, është edhe autori që ka mbledhur, sistemuar, përzgjedhur e botuar një mori tekstesh mbi veprën dhe veprimtarinë e Ibrahim Rugovës. Emri i tij, përkatësisht puna e tij qëndron pas shumë veprave të rëndësishme ku për herë të parë në formë librore është sistemuar diskursi i plotë i Rugovës: tekstet antologjike, tekstet e mbetura në revista e gazeta, paratekstet e tij për libra të tjerë apo antologji (parathënie e pasthënie), poezitë e tij rinore, intervistat letrare e politike, fjalimet e deklaratat dhe gjithçka tjetër që i përket diskursit të tij të shpërndarë, të mbetur në libra, revista apo gazeta.
Dikujt kjo punë mund t’i duket teknike e suplementare, porse çdo studiues hakikat apo çdo lexues, le t’i themi model, e di se kjo është një punë e jashtëzakonshme, ndihmuese e lehtësuese në çdo aspekt por sidomos në aspektin e kursimit kohor e hapësinor të studiuesit që synon ta shfrytëzojë këtë material.
Puna e prof. Munish Hysenit është pothuajse e patejkalueshme për secilin që synon të hyjë më thellë në botën diskursive të Rugovës, ajo është prag. Megjithëse e paçmuar dhe gjithsesi e pakompenzueshme, kjo punë është shembull i përkushtimit dhe mesazh sizifik për besimin në vlera të qëndrueshme dhe prandaj edhe të përçueshme siç dëshmon përkushtimi i tij për veprën e Rugovës. Ajo, ma ndërmend retrotopikisht (qoftë edhe pjesërisht për shkak të kontekstit tjetër) veprën e papasëve arbëreshë të shekullit XVIII që, veç tjerash, ishin edhe mbledhës, ruajtës e sistematizues të dorëshkrimeve të paraardhësve, për ta ‘themeluar’ apologjetikisht e për ta ruajtur pastaj vendosmërisht, konceptin e tyre të Arbërisë e identitetin kulturor të arbëreshit. Megjithëse konteksti është tjetër, krejt i ndryshëm, unë besoj se puna e tij mbi ‘veprën’ e Rugovës buron dhe ujëmullinë në idenë e Kosovës dhe dashninë për të. Prandaj është e rendit që pikë s’pari ta shprehim nderimin tonë për profesorin, për punën e tij filigranike dhe për shembullin e tij.
Përsa i përket librit ‘Poezia shqipe’ një koleksion i plotë i teksteve teorike dhe kritike të Rugovës mbi artin e poezisë, ai i shtohet radhës së librave të tipit antologjik me referencë tematike që kanë zënë të botohen pothuajse që pas vdekjes së Ibrahim Rugovës. Nëse deri më tani fokusi ka qenë mbi antologjitë me tekstet më të rëndësishme kritiko-letrare, mbi tekstet e pabotuara, intervistat, referencat e shtypit të jashtëm etj., kjo antologji rimerr ta sistemojë shkrimin e Rugovës mbi një referencë zhanrore, poezinë shqipe. E mira e kësaj konsiderojmë se është unifikimi i këtyre teksteve që gjenden të shpërndara në librat e Rugovës apo në antologji të tjera si dhe aktualizimi i këtij diskursi që vë në plan të parë poezinë si një nga zhanret me të cilin Rugova është marrë më shumti në aspektin kritik.
Për sa i përket punës mbi librin mund të themi se ai është konceptuar mjaft mirë. Në pjesën e parë kemi tekstet të cilat i takojnë asaj që mund ta quajmë pak a shumë ‘mendim teorik’ ose ‘analizë teorike’ të poezisë, ndërsa në pjesën e dytë kemi kritikën e aplikuar të Rugovës mbi autorë të caktuar të letërsisë shqipe.
Nga një lexim i përgjithshëm i librit ‘Poezia shqipe’ mund të themi se Rugova pak a shumë është marrë si me aspektin teorik të poezisë poaq edhe me atë aplikativ. Ai është marrë me poezinë e të gjitha periudhave letrare por në shumicën e rasteve është i preokupuar me poezinë bashkëkohore. Shqyrtimet e tij kapin poezinë e vjetër shqipe (Budin e Bogdanin), poezinë rilindase-romantike (Seremben e Gurakuqin), poezinë e modernitetit fillimtar (Nolin, Lasgushin, Migjenin), poezinë e angazhuar kosovare (Esad Mekulin), poezinë moderne-bashkëkohore ku shqyrton pothuajse shumicën e autorëve që tashmë janë etabluar si vlera të qëndrueshme letrare duke filluar nga Rrahman Dedaj, Ali Podrimja, Eqrem Basha, Azem Shkreli e deri tek Beqir Musliu, Musa Ramadani e Abdullah Konushevci. Ia vlen ta përsërisim poashtu që Rugova është mbase i pari që veçantë merret edhe me poetikën e poeteve gra të Kosovës.
Për sa i përket veçantive të Rugovës në aspektin që po e quajmë kushtimisht teorik, që përfshihen në pjesën e parë të librit, do të veçonim sipas radhës:
1) Rugova është i pari që kërkon studimin e letërsisë së vjetër shqipe (jo vetëm poezisë) në aspektin e specializuar letrar. Nëse shpesh është konstatuar risia e Rugovës në këtë aspekt në krahasim me diskursin zyrtar historiko-letrar të periudhës komuniste, mund të themi se ajo është risi edhe në raport me qasjen para LDB-së në raport me këtë periudhë letrare dhe me këtë diskurs.
2) Rugova përmes një rimarrje nga Shuteriqi e afirmon dhe sugjeron idenë e një ‘tradite letrare hasjane’, konceptim që bazohet në dellin e tij tipologjik që është njëkohësisht sugjestiv, sa në aspektin e kognicionit të tij historiko-letrar poaq edhe në botëkuptimin e tij ideologjik: pra një decentralizim, emfatizim dhe rizbulim i periferikes në një kohë kulti qendërzues.
3) Rugova merret me dimensionin vital të poetikës së rilindjes-romantizmit shqiptar, synon ta analizojë transponimin e topologjisë nacionale dhe subjektive të poezisë së Rilindjes në periudhat e mëvonshme, sidomos në letërsinë bashkëkohore të Kosovës, indikacion i një preokupimi me idenë e evoluimit dhe transformimit të gjërave, ndoshta ky një pasion personal i vet Rugovës që ai e gjen më vonë te Bogdani. Rugova është i mahnitur siç thekson vet me ‘idenë e lëvizjes’ (mobilitetit) te Bogdani, me atë Kroin e gjallë prej së cilit rrjedh gjithçka. Ndoshta këtu mund të gjurmohet edhe afilacioni i tij shikimparë me veprën bogdaniane(!)
4) Në tekstin ‘Poezia dhe koha’ trajtëson përsiatjet e tij mbi idenë e kohës sipas disa punkteve filozofike e teoriko-letrare dhe ia subordinon këto koncepte praksisit letrar poetik nga Ali Podrimja te Sabri Hamiti për ta parë realizmin e kategorisë së kohës në poezi.
5) Teksti ndoshta më reprezentues studimor i Rugovës jo vetëm për poezinë por përgjithësisht i praktikës së tij teoriko-letrare është ‘Artikulimi tipologjik’. Këtu, përmes tipologjizimit të poezisë shqipe të Kosovës pas LDB-së në kuadër të kategorive ‘Poezia afirmative, Poezia subjektive dhe Poezia objektive’ ndërmerr të sistematizojë pothuajse gjithë diskursin poetik nga viti 1945 deri më 1980. Konceptimet e tij të këtyre tipave të poezisë që ai sheh të materializohen si fenomene, mundohen ta neutralizojnë mjaft shumë kronologjinë, procedurë tejet tipike në shqyrtimet tradicionaliste; për ta kompensuar këtë ai shërbehet me konceptin e resemantizimit të botëkuptimeve, prosedeve, toposeve, figurave e madje edhe fjalëve. Në secilin tip të poezisë ai pos procedimit dominant gjithashtu tenton ta sugjerojë edhe frymën ndikuese sa nga tradita letrare shqiptare poaq edhe nga ajo botërore, sikurse edhe emrin apo poezinë që si antonomazi shpreh idenë e fenomenit/tipit të poezisë. Kësisoj për ‘Poezinë afirmative’ theksohet entuziazmi eksternal, negacioni i së kaluarës ndërsa si dispozicion i saj shihet fryma e Majakovskit dhe e Migjenit. Esad Mekuli merret si përfaqësues i saj kryesor. Për ‘Poezinë subjektive’ kemi ekzaltimin intim (pra reduktohet ai eksternal socio-politik), forcimin e subjektit (pra indiviudalitetin e identitetin poetik) e autoekspresionin intensiv (sic.). Si ndikuese shihet fryma e prosedeu jeseninian e lorkian nga letërsia botërore përderisa rustikalja si formë e veçantë shtimungu që ndërlidhet me motivin e poetizimit të vendlindjes (aq shumë e shprehur në këtë tip poezie sipas Rugovës) frymëzohet nga dy librat e parë të Martin Camajt. Gjithashtu në formë antonomazike Rugova e sugjeron poezinë e Azem Shkrelit “Ç’asht poezi”, si njëfarë poezie programatike prej së cilës mund të kuptohet ideali i ‘Poezisë subjektive’. ‘Poezinë objektive’ në anën tjetër, e sheh të lidhur fort me ironinë dhe kontaminimin ironifikues të të gjitha dimensioneve e ndikimin e papërcaktueshëm e të shumëanshëm letrar, por sidomos atë frëng të Boskesë e Bonnefoy-it. Këtu poeti shndërrohet në njëlloj ‘kordinatori krijues’ që di ta krijojë dhe menaxhojë ‘distancën poetike’ e cila nuk ekziston tek ‘poezia subjektive’. Këtu si tipare, Rugova sheh inkuadrimin e mitit dhe historisë si dhe sublimimin e ‘mendimit poetik’ të lidhur me figurën. Nëse kjo e dyta karakterizon prosedeun modernist në poezi, konsideroj se e para (pra inkuadrimi i mitit dhe historisë) e lidhur gjithnjë me perspektivën ironike që i takset nga analiza rugoviane, mund të na çojë sipas mendimit tim në fillesat e një sentimenti postmodern në poezinë shqipe të Kosovës. Theksojmë ‘sentimentin’ në kuptimin e ‘dispozicionit’, ‘shtimungut’, meqenëse na duket paksa arbitrar thjesht (e veç) përcaktimi i pranisë së elementeve/kategorive të diskursit postmodernist nëpër vepra të caktuara artistike pa praninë e dispozicionit, perspektivës mbarështruese të këtyre elementeve. Prandaj, theksimi i inkuadrimit të mitit dhe historisë në poezi dhe trajtimi i tij në disa modalitete siç përcakton Rugova, por kryesisht përmes perspektivës ironike, mendojmë se mund të jetë indicie e mirë për ta gjurmuar transformimin e sentimentit letrar modern drejt ‘lëngëzimit’ (Bauman) dhe ndoshta pikërisht në poezi më herët se sa në prozë, e cila sot për sot, konsiderohet nga disa studiues, si zhanri ku inicohet postmodernizmi në letërsinë shqipe. Sigurisht kjo kërkon një analizë shumë më të thellë por mjaftohemi të theksojmë se këto elemente që përmend Rugova në analizën e tij tipologjike mund të shërbejnë për hulumtime të reja. Sidoqoftë, në kuadër të këtij tipi të tretë, ‘poezisë objektive’, Rugova sheh rrugën e evoluimit të poezisë kosovare shqipe sepse pas forcimit të subjektit, tashmë forcohet edhe objekti duke u barazuar në aspektin e signifikancës dhe vlerës letrare. Konsideroj se ky përshkrim i ‘zhvillimit të poezisë’ nga ana e Rugovës, perspektivohet nga një formë syzimi antropomorfike që bart kategoritë psikanalitike për formimin dhe zhvillimin e personalitetit njerëzor: sepse fillimisht është afirmimi i asaj që të është ofruar nga jashtë, pa mundësi zgjedhje, pastaj fokusi kalon tek fuçizimi i subjektit (procesi jungian i individuimit), ku shumë më pak rëndësi ka e jashtmja apo tema meqenëse ajo i subordinohet ndërtimit të egos, dhe në fazën e pjekurisë kemi kërkimin e objektit dhe fokusin mbi të nga subjekti i formësuar. Nëse te e dyta kishim identitetin tashmë kemi dinjitetin, që formësohet përmes signifikimit (valorizimit) të objektit dhe trajtimit të tij. Theksuam këtë jo vetëm për ta karakterizuar këtë qasje në vetvete, por për të pahëzuar se fillimet e qasjes strukturale në kritikën letrare shqiptare, ndërmjetësohen ose negociohen nga kategori psikanalitike që shërbejnë për t’i kohezionuar proceset e zhvillimet letrare, për t’u dhënë një trajtë më koherente; kësisoj, nëpërmjet këtyre ‘kombinatorikave’ (me pak guxim e shumë kujdes do t’i quaj lakaniane), mund të lexohen përpjekjet për ta tejkaluar ‘pozitivizmin’ e ‘dialektikën marksiste’ (kjo e fundit jo që kishte krijuar farë precedenti të fortë paradigmatik në kritikën letrare në Kosovë por afirmohej nga modelet që vinin nga Shqipëria). Prandaj trajtimi i tillë i Rugovës, madje edhe i disa fenonemenve të nënrenditura letrare (siç është rustikalizmi, hermetizmi e reflektivizmi) dëshmojnë përpjekje, më tepër se sa të refuzimit të qasjes ‘skolastike’ evidente, të eksperimentimit e testimit të modeleve strukturaliste e deri diku edhe fenomenologjike, së paku si intencë, sepse materializohet ideja fenomenologjike ku veprat letrare nuk studiohen më si artefakte që duhet analizuar por si manifestime të vetëdijes: një vetëdije apo përvoje të botës në të cilën ftohen lexuesit të participojnë. (Culler, 2002, f. 32). E gjithë kjo do të marrë tjetër kuptim pak vite më vonë kur Rugova do të synojë ta lexojë Bogdanin duke iu referuar vetëm provizionalisht modelit të leximit të Ignacio Loyola-s nga Roland Barthes.
“Artikulimi tipologjik” si tekst mbi të cilin u ndalëm pak më shumë, konsideroj se është ndër tekstet më të arrira dhe rezonuese të tij për konceptimin e praksisit poetik para viteve 90’ gjë që ka ndikuar dhe është krucial pothuajse në të gjitha studimet e mëvonshme në raport me poezinë e kësaj periudhe. Aty në trajtë të kondensuar mund të lexohen si idetë qendrore të Rugovës për poezinë bashkëkohore shqipe të Kosovës, gjithaq edhe qasja e tij teorike dhe kritike letrare. Korniza konceptuale e këtij studimi mund të merret si paradigma mbi të cilën Rugova mbështet analizat dhe vlerësimet e pothuajse shumicës së autorëve apo veprave që gjenden në pjesën e dytë të kësaj përmbledhje. Për sa i përket qasjes së Rugovës ndaj poezisë së veçantë të secilit autor mund themi se ajo është e negociouar: kryesisht një close-reading që mbështetet nga konceptimi tipologjik që kristalizohet nga ana tjetër nga dekodimi i rrjetit të kategorive letrare. Qarku hermeneutik realizohet nga sema tek tipizimi dhe vice versa varësisht si na e ofron Rugova në librat e tij prej nga janë përzgjedhur këto tekste.
Mes tjerash Rugova është inicuesi dhe kritiku i parë i shumë poetëve që sot kanë hyrë në panteonin e poezisë shqipe. Madje për të rimarrë një konsideratë të Bartit nga viti 71’ (“Être de l’avant-garde, c’est savoir ce qui est mort; être de l’arrière-garde, c’est l’aimer encore”), mund të themi se ai i ndikuar nga kjo qasje bartiane përfaqësonte praparojen e pararojës. Ai përpos ndonjë eksperimenti me modele aksiologjike, në të gjitha tekstet e tij kritike për poezinë ka dispozicion afirmativ ndaj veprave apo fenomeneve letrare që i trajton, justifikues ndaj atyre që i konsideron të dobëta apo jo shumë relevante dhe hipervalorizues për ato që i konsideron të veçanta. Osmozat e Rugovës janë të parëndësishme kur merret parasysh ideja sublime që i nxit dhe i përshkon këto tekste kritike: e ajo është kuptimësimi, i veprës, autorit, fenomenit, njeriut.
Referencat
Barthes, Roland. 2016. Mitologjitë. Tiranë: Pika pa sipërfaqe.
Culler, Jonathan. 2002. Barthes, a very short introduction. London: Oxford Univerity Press.
Rugova, Ibrahim (ed. Munish Hyseni), 2026. Poezia shqipe. Prishtinë: Artini.