Paris, 25 maj 2026 – Sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, është nderuar nga Franca me titullin prestigjioz “Chevalier des Arts et des Lettres” (Kalorëse e Urdhrit të Arteve dhe Letrave), njërën nga mirënjohjet më të rëndësishme që u akordohen figurave me ndikim të veçantë në fushën e artit e të kulturës.
Artistja shqiptare ndau emocionet e saj përmes një mesazhi prekës në Facebook. Ajo e cilësoi këtë titull si një nder të jashtëzakonshëm për të, duke theksuar se Franca e përfaqëson dashurinë për artin, kulturën dhe vlerat njerëzore.
“Nderimi me titullin Kalorës i Arteve dhe Letrave për mua është një emocion i madh dhe një nder thellësisht i dashur për zemrën time, pasi Franca përfaqëson aq shumë dashurinë për artin, kulturën dhe të vlerat njerëzore.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë njerëzit që më kanë shoqëruar gjatë udhëtimit tim, veçanërisht agjentin tim besnik për kaq shumë vite, Dominique Riber, për besimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme, si dhe Jean-Philippe Thieally, për pasionin dhe përkushtimin e tij të sinqertë për operën. Njerëzit bujarë e bënë të mundur këtë moment kaq të çmuar.
Nuk mund të imagjinoja për këtë ceremoni një ambient më të mirë sesa e rrethuar nga miq të sinqertë, entuziastë të artit dhe një audiencë që i bëri kuptimplota të gjitha sakrificat jetësore të një artisti. E pranoj këtë nderim me përulësi, mirënjohje dhe emocion të thellë. Faleminderit Francës që e priti me kaq zemërgjerësi zërin dhe zemrën time!”, ka shkruar Jaho në Facebook.
Ermonela Jaho është një nga emrat më të vlerësuar të operës në arenën ndërkombëtare. Ajo ka interpretuar në skena të njohura botërore, si: Royal Opera House, Metropolitan Opera, Teatro alla Scala, etj. dhe ka marrë vlerësimet më të larfta të publikut dhe kritikës.
(r.m.)