Kongresistët Self dhe Subramanyam në Preshevë: Shqiptarët në Serbi përballen me probleme reale

Preshevë, 26 maj 2026 – Delegacioni i kongresistëve amerikanë që e vizitoi Luginën e Preshevës të martën theksoi rëndësinë e stabilitetit dhe të prosperitetit në rajon si edhe trajtimin e çështjeve mes shqiptarëve dhe serbëve.

Keith Self nga radhët e republikanëve dhe Suhas Subramanyam nga radhët e demokratëve u takuan me përfaqësues të shqiptarëve, përfshirë deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, për të marrë informacione dhe opinione të drejtpërdrejta nga terreni.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, u tha Self gazetarëve, citon Radio Evropa e Lirë.

Subramanyam tha se në takime është diskutuar për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, problemet në arsimin në gjuhën shqipe dhe trajtimin e pabarabartë të shqiptarëve.

“Realiteti është që Serbia, për të ecur përpara, duhet të jetë në gjendje t’i adresojë këto çështje”, tha kongresisti demokrat.

Ndërkaq deputeti Shaip Kamberi tha se kongresistët “janë bindur për situatën ekzistuese në terren” dhe u shfaq i bindur se problemet në Luginën e Preshevës po marrin vëmendje ndërkombëtare.

Në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan e miratoi një projektligj që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Projektligji, i cili është iniciuar nga kongresisti Keith Self, parashikon shqyrtimin e disa çështjeve që lidhen me pozitën e pakicës shqiptare në Serbi, përfshirë përfshirjen e shqiptarëve në administrate dhe në institucionet e kompanitë publike, pasivizimin e adresave, kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, mosnjohjen e diplomave të lëshuara në Kosova dhe mungesën e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Këto çështje janë përmendur edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në Serbi, për vitin 2023.

Pjesëtarët e komunitetit shqiptar që jetojnë në Luginë t ë Preshevës, në jug të Serbisë, kanë ngritur shpesh shqetësimet për praktika diskriminuese të shqiptarëve nga autoritetet në Beograd.

(r.m.)

Comment

*