Hetimet e filluara vitin e kaluar në Pulia zbuluan një grup të strukturuar kriminal me shumicë shqiptare dhe disa anëtarë italianë, të cilët akuzohen për vrasje, zhvatje, trafik droge dhe pastrim parash.
Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të martën rezultatet e një operacioni të zhvilluar në bashkëpuinim me Drejtorinë Antimafia të Barit kundër një grupi të strukturuar kriminal, përgjegjës për trafik ndërkombëtar të drogës dhe pastrim të parave.
Hetimet kanë filluar pas vrasjes së 26-vjeçarit italian, Francesco Diviesti më 25 prill të vitit të kaluar në Pulia, prej nga u zbulua aktiviteti i organizatës kriminale me bazë në Tiranë.
Gjykata e Posaçme ka caktuar 10 masa sigurie ndaj anëtarëve të kësaj organizate, ndërsa pesë masa të tjera u caktuan nga autoritetet gjyqësore italiane.
Mes të hetuarve janë katër gra, që janë vendosur nën masat e sigurimit “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje”. Sipas SPAK, ekzekutimi i masave të arrestit në Shqipëri është kryer në qytetet Tiranë, Fier e Vlorë; në Itali në Barletta, Agnani e në burgun e Romës; si dhe në Madrid të Spanjës.
Të hetuarit nga SPAK akuzohen për veprat penale: vrasje me paramendim, e kryer duke përdorur metoda mafioze të ekzekutimit; tentativë zhvatjeje; posedim dhe mbajtje e paligjshme e armëve të zjarrit dhe municioneve; favorizim personal; shkelje të masave parandaluese personale dhe pastrim ndërkombëtar i produkteve të veprës penale nga Italia në Shqipëri.
Një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së Diviestit në prill të vitit të kaluar, Igli Kamberi është arrestuar më vonë me kërkesë të Prokurorisë së Tranit, në Roshe të Hungarisë, për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër. Në të njëjtën kohë, tek familjarë të tij janë sekuestruar mbi 412 mijë euro ‘cash’, si dhe është dokumentuar përfshirja e tre shtetasve italianë në këtë çështje.
SPAK bën me dije se, përveç përfshirjes në vrasje dhe trafikun e drogës, është zbuluar edhe veprimtaria e anëtarëve të grupit në pastrimin e parave, kryesisht në Shqipëri. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestro preventive për 4 shoqëri tregtare, 8 automjete, 10 llogari bankare dhe për një shumë prej 680 mijë eurosh, shumë kjo e bllokuar në nëntor të vitit 2024 në pikën kufitare të Muriqanit.