Bruksel, 26 maj 2026 – Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të avancuar të procesit të integrimit europian, duke e cilësuar si një “gur kilometrik” progresin në negociatat me Bashkimin Evropian (BE).
Në konferencën e përbashkët me Marilena Raouna dhe Marta Kos, Rama tha se Shqipëria ka arritur t’i çelë të gjithë kapitujt negociues brenda vetëm 11 muajsh, duke theksuar se ky është “një ritëm record” në procesin e integrimit. Ai ka thënë se ky ritëm është fryt i “dashurisë” së Shqipërisë për BE-në.
“Duhet të shihni e të mësoni nga dashuria e Shqipërisë për BE-në, dashuri e pashtershme, pa kushte. Dashuri që sjell vuajtje ndonjëherë, por ja ku jemi dhe sigurisht jemi të lumtur, jemi shumë të lumtur, sepse kemi arritur një tjetër gur të jashtëzakonshëm kilometrik. Kemi thyer një tjetër rekord. Ne i kemi çelur të gjithë kapitujt brenda 11 muajve dhe ishte shumë shpejt, ndoshta sepse ishte shumë vonë dhe kaluam nga kjo fazë e nisjes së mbylljes së kapitujve me këtë konferencë të sotme, edhe një herë brenda një afati shumë të shkurtër”, ka thënë ai.
Rama ka theksuar se procesi i negociatave tani hyn në një fazë edhe më të rëndësishme.
“Kështu që ndihemi të energjizuar, të inkurajuar, por gjithashtu edhe me më shumë përgjegjësi, sepse e dimë që nuk është fundi, është vetëm fillimi i fundit”, është shprehur ai.
Rama ka thënë se reformat e ndërmarra në Shqipëri në kuadër të procesit të integrimit në BE kanë prodhuar forcim të institucioneve dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
“Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se e gjithë kjo lidhet me punën që ne po bëjmë së bashku, piketat e ndërmjetme, që tingëllojnë abstrakte, por janë mjaft reale dhe kanë të bëjnë me faktin se sot morëm konfirmimin e institucioneve shumë më të forta sesa një vit më parë. Një sistem drejtësie i fuqizuar dhe i pavarur si kurrë më parë në historinë e vendit tonë”, ka thënë ai.
Rama ka thënë se Shqipëria ka bërë progres në forcimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve të drejtësisë.
“E nisëm me stigmën e një vendi ku kishte kulturë pandëshkueshmërie dhe sot duket sikur kjo ka qenë diçka e të shkuarës shumë të largët, ndonëse ishte vetëm pak vite më parë”, është shprehur ai.
Rama e ka vlerësuar edhe ndikimin e reformave në ekonomi. Ai ka thënë se Shqipëria ka rritur Prodhimin e Brendshëm Bruto nga 10 miliardë euro në mbi 27 miliardë euro, ndërsa pagat mesatare janë rritur ndjeshëm si në sektorin publik ashtu edhe në sektorin privat.
“Sot kemi një vend i cili ka një PBB prej mbi 27 miliardë euro dhe e nisëm me 10 miliardë euro. Kemi një vend i cili ka një pagë mesatare në sektorin privat 912 euro dhe në sektorin publik rreth 1100 euro, ndërsa e kemi nisur me një pagë mesatare prej 325 eurosh. Po rriten investimet, po rritet ekonomia”, është shprehur kryeministri Rama, në konferencën p՞r medie, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE.
(r.m.)