Kongresisti Self në Shkup: Të zbatohet Marrëveshja e Ohrit dhe të ruhen të drejtat e shqiptarëve

Shkup, 27 maj 2026 – Kongresisti amerikan Keith Self zhvilloi sot në Maqedoninë e Veriut takime të ndara me përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare dhe me liderë të opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku u diskutua për zhvillimet politike në vend, për pozitën e shqiptarëve dhe për nevojën e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Organizata “Albanians For America”, në një postim në Facebook, njoftoi se Mevlan Ademi, Besar Sejdiu dhe Jon Selimi, përfaqësues të Lëvizjes Studentore shqiptare, i paraqitën shqetësimet e tyre për moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për tendencat që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e fituara të shqiptarëve. Ata theksuan rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, respektimit të barazisë kushtetuese dhe ruajtjes së frymës së bashkëjetesës e të përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore e publike, të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit.

“Albanians For America” bëri të ditur se edhe në takimin e kongresistit Self me liderët e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetin dhe Zijadin Selë, u diskutua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut dhe për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në këtë republikë. Ahmeti e Sela theksuan rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve dhe zbatimit të standardeve që garantojnë barazi, përfaqësim dhe stabilitet politik.

Sipas “Albanians For America”, kongresisti Keith Self theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik në Maqedoninë e Veriut e në rajon, respektimit të të drejtave politike. Ai tha se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit është garanci për bashkëjetesë dhe paqe afatgjatë në vend dhe rajon.

Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Suhas Subramanyam, anëtar i Nënkomisionit për Çështje Ushtarake dhe të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, e realizuan një vizitë disa ditëshe në Ballkanin Perëndimor. Ata qëndruan në Sarajevë, në Beograd, në Preshevë dhe në Kosovë.

Në Preshevë ata u informuan për pozitën e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ku përfaqësuesit e shqiptarëve shprehën shqetësimet për praktikat diskriminuese të shqiptarëve nga autoritetet e Serbisë.

Kongresisti Self tha atje se janë njoftuar së afërmi me problemet e shqiptarëve në Serbi.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur”, u tha Self gazetarëve.

Në fillim të këtij viti, Komiteti për Politikë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan e miratoi një projektligj që i kërkonte sekretarit amerikan të Shtetit të përgatiste një raport gjithëpërfshirës për pozitën e pakicave në Serbi, me fokus të veçantë në pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

(r.m.)

Comment

*