Tre ish-punonjës të policisë do të gjykohen për përfshirje në krimin e organizuar

Tiranë, 29 maj 2026 – Prokuroria e Posaçme, SPAK, njoftoi të premten më 29 maj, përfundimin e hetimeve për tre ish-punonjës policie të lidhur me grupe të strukturuara kriminale, me veprimtari kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Çështja ndaj tre efektivëve të Policisë së Shtetit është dërguar për gjykim. Erdit Hazizaj, ish-specialist në sektorin e Hetimit në Mbulim pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, akuzohet për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim i detyrës”. I pandehuri Shkëlzen Ruska, ish-specialist pranë Policisë Vendore Gjirokastër akuzohet për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Ish-shefi i krimeve në Sarandë, Ervis Alisinanaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Sipas SPAK, nga hetimet ka rezultuar se gjatë viteve 2019-2021, në zonën e Sarandës ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në kultivimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Në njoftim bëhet me dije se është bërë e mundur të dokumentohet trafikimi në mars 2020 përmes pikës së kalimit kufitar në Qafë Botë të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4 kg hashash të përpunuar në llojin e quajtur “çokollatë” dhe afro 1 kg vaj kanabisi, me vlerë totale rreth 1.7 milionë euro. Kjo sasi lënde narkotike u është sekuestruar dy shtetasve italianë, të dënuar në Greqi.

Kur anëtarë të grupit arrestoheshin, bashkëpunëtorët e tyre siguronin ndihmën ekonomike dhe mbrojtjen ligjore për t’u përballur me proceset gjyqësore. Për të arritur qëllimet e tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kishin krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore me punonjës të Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur vijimësinë e aktivitetit kriminal.

Sipas SPAK, i pandehuri Erdit Hazizaj, i cili në atë kohë mbante detyrën e specialistit në sektorin e Hetimit në Mbulim pranë Forcës së Posaçme Operacionale, ndihmonte drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për zhvillimin e aktivitetit të kundërligjshëm.

Ndërkohë, efektivi tjetër, Shkëlzen Ruska ishte rekrutuar nga një grup që ishte përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në zonën Tepelenë-Gjirokastër gjatë viteve 2019-2021. Drejtuesi i këtij grupi rezulton të kishte krijuar kontakte dhe lidhje shoqërore edhe me Ruskën, i cili dyshohet se ka dhënë ndihmë duke ofruar informacione dhe garanci për aktivitetin e kundërligjshëm.

“Nga tërësia e provave të administruara rezulton se të pandehurit, Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj, në vazhdimësi, gjatë vitit 2020, në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe funksionale, si punonjës të Policisë së Shtetit, kanë kryer veprime dhe mosveprime që kanë cenuar rëndë funksionimin e rregullt të strukturave policore, duke mos ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në kultivimin dhe trafikimin e narkotikëve apo veprime të tjera të kundërligjshme”, vlerëson SPAK dhe shton se këto veprime kanë sjellë pasoja të rënda për interesat e shtetit, si dhe kanë cenuar besueshmërinë e Policisë së Shtetit përpara publikut.

Gjatë viteve të fundit disa oficerë të lartë të Policisë së Shtetit janë arrestuar apo dënuar për përfshirje në rrjetet e krimit të organizuar. Shkalla në të cilën krimi i organizuar ka depërtuar në Policinë e Shtetit është bërë më e qartë në kohën kur policia franceze fitoi akses në mijëra mesazhe sekrete të dërguara nga kriminelët, duke përdorur telefonat e koduar SKY ECC. Mesazhet përmbanin informacione për dhjetëra grupe kriminale nga e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë.

(Reporter)

Comment

*