TRONDITJE DHE BUKURI PA MBARIM

Parathënie për librin “Funeral i Pafundmë” i Visar Zhitit

 

 

Nga Ani Gjika 

Botuar fillimisht në Shqipëri më 2003 dhe më pas i rishikuar gjatë pandemisë globale të vitit 2020, Funerali i Pafundmë i Visar Zhitit është një meditim i thellë mbi psikologjinë e ekzistencës kolektive. Romani hapet me një imazh të paharrueshëm: “Përgjatë shkretëtirës së rrënuar zgjatej një brazdë e thellë, e pafund,” nëpër të cilën përparon një kortezh funeral pa destinacion e pa fund. Nga kjo premisë rrëqethëse, Zhiti ndërton një nga peizazhet më të veçanta të letërsisë bashkëkohore evropiane, duke qënë pezull diku mes alegorisë dhe halucinacionit, kujtesës historike dhe makthit metafizik. Kortezhi kalon përmes varrezave, territoreve të rrënuara, kufijve dhe turmave që ndryshojnë vazhdimisht formë dhe kuptim. Në këtë libër, subjekti kryesor nuk është vetëm vdekja apo katastrofa, por joshja e tmerrshme në të qënit pjesë e kolektivit.

“Rrugëtimin e bën më të lehtë mendimi i njëjtë, i vetëm, i përbashkët” shpall narratori që në fillim. Ky vëzhgim në dukje i qetë pasqyron një nga shqetësimet kryesore të romanit: mënyra se si individët dorëzohen ndaj vetëdijes së turmës përmes lodhjes, dëshirës, frikës dhe etjes për të përkitur diku. Zhiti e kupton se turma ofron strehë po aq sa ofron edhe rrezik: “veç e veç njerëzit janë të padurueshëm, por, duke u bërë një masë e vetme tallazitëse në një shurdhëri joshëse, edhe pse e përçudnuar, të përpin me gjithsejin e vet.” Shprehja “shurdhëri joshëse” bëhet motori emocional i librit. Kortezhi është i tmerrshëm, por njëkohësisht i parezistueshëm si për personazhet ashtu edhe për lexuesit. Kortezhi fshin vetminë ndërkohë që tret individualitetin. Në këtë kuptim, romani sjell ndër mend shqetësimet oruelliane mbi mënyrën se si gjuha, perceptimi dhe realiteti i përbashkët deformohen nën presionin ideologjik. Arritja e Zhitit qëndron në refuzimin për t’u treguar lexuesve çfarë të mendojnë apo si të veprojnë. Përkundrazi, ai krijon një hapësirë paqartësie ku lexuesit fillojnë të vënë në dyshim pjesëmarrjen e tyre nëpër sisteme.

Ajo që e dallon Funeralin e Pafundmë nga një pjesë e madhe e prozës bashkëkohore është rezistenca e këtij libri ndaj thjeshtëzimit. Kortezhi funeral është njëkohësisht migrim, pandemi, diktaturë, ëndërr, rit shpirtëror dhe halucinacion kolektiv. Struktura simbolike e romanit lëviz vazhdimisht nën këmbët e lexuesit: “Dhe i vdekuri në arkëmort bën si i vdekur që të besojmë që ne jetojmë.” Këtu arkivoli pushon së përmbajturi thjesht një kufomë dhe bëhet një trillim i domosdoshëm që mban gjallë vetë të gjallët. Diku tjetër narratori pyet: “Pse na largohen varrezat? Ne u afrohemi, ato ikin dhe ikin…” Vdekja, në botën e Zhitit, nuk mund të arrihet apo të zgjidhet. Kortezhi është i dënuar që mbarimi i tij veç të shtyhet pafundësisht.

Kritikët e kanë krahasuar imagjinatën letrare të Zhitit me atë të Franz Kafka-s, James Joyce, Aleksandër Solzhenitsyn dhe J. D. Salinger, ndërsa atmosfera hipnotike e romanit sjell ndër mend kinemanë e Béla Tarr. Megjithatë, Zhiti mbetet padyshim një zë krejtësisht i veti, i formuar nga historia e dhunshme e Shqipërisë komuniste, ku edhe vetë u burgos për poezinë e tij. Gjatë burgimit, ai dhe të burgosur të tjerë mësonin përmendsh poezi për t’i shpëtuar ato nga shkatërrimi. Siç kujtonte më vonë Zhiti, ai u bë “ekspert në kontrabandimin e poezive të tij.” Këto shkrime burgu dolën më vonë në dritë pas rënies së regjimit dhe u përkthyen në shumë gjuhë, përfshirë anglishten në The Condemned Apple nga albanologu i ndjerë Robert Elsie, i cili shkroi se jeta dhe vepra e Zhitit ndoshta pasqyrojnë historinë shqiptare më thellë se çdo shkrimtar tjetër i brezit të tij.

Kjo trashëgimi historike përshkon Funeralin e Pafundmë, megjithëse kurrë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një nga sfidat më të mëdha në përkthimin e romanit qëndron në ruajtjen e paqëndrueshmërisë së tij të qëllimshme mes realitetit dhe simbolikes. A është kortezhi real? Politik? Metafizik? Apokaliptik? Teksti origjinal në shqip ka merita pikërisht pasi refuzon interpretimin e ngurtë. Proza e tij lëviz brenda të njëjtit paragraf nga humori grotesk te intensiteti erotik, nga meditimi filozofik te terrori surreal. Një pjesë e madhe e forcës së saj buron nga ritmi: fjali të gjata, grumbulluese, që ecin përmes përsëritjeve, ndërprerjeve dhe mendimeve rrethore me vrullin e pamëshirshëm të një leximi kolektiv. Ta qartësoje tepër këtë prozë në anglisht do të thoshte t’i zvogëloje fuqinë e saj hipnotike; prandaj puna e përkthimit u përqendrua në ruajtjen e pasigurisë në ndarjet e rreshtave, të cilat synojnë të pasqyrojnë zbaticën dhe baticën e vargjeve funerale ndërkohë që turmat vazhdojnë të lëvizin.

Dhe nën gjithë atë errësirë, Zhiti ofron edhe një dhuratë tjetër: vitalitetin. Edhe i rrethuar nga vdekja, narratori mbetet egërsisht i gjallë — i uritur, dëshirplotë, i frikësuar, ekstatik, absurditisht shpresëplotë. Në një skenë të paharrueshme, intimiteti erotik zhvillohet nën hapat e pafund të funeralit sipër tyre, një kujtesë e fuqishme kjo se vetë etja njerëzore refuzon asgjësimin. “Pra ne kemi mbi supe vdekjen dhe jovdekjen, asgjë të vdekur dhe asgjë të gjallë, pavdekësinë dhe Çastin dhe gjithçka përtej tyre.” Ky dualitet qëndron në zemër të romanit për të na kujtuar se Funerali i Pafundmë nuk është kurrë një libër për vdekjen, por më tepër për qëndrueshmërinë e dëshirës njerëzore, imagjinatës dhe lëvizjes brenda katastrofës.

Shpresa ime është që lexuesit të gjejnë këtu diçka që tashmë e njohin. Zhiti i jep trajtë hutimit të të jetuarit në kohë të paqëndrueshme, duke na kujtuar se edhe mes pandemive ideologjike, rrënimeve historike dhe frikës kolektive, shpirti njerëzor vazhdon të kërkojë intimitet, kuptim, lartësim, dhe njëri-tjetrin. Kortezhi nuk përfundon tek faqja e fundit. Ai zgjatet përtej, drejt botës së vetë lexuesit, duke lënë pas një pyetje shqetësuese të fundit: nëse ne po dëshmojmë funeralin, apo nëse kemi zgjedhur të ecim brenda tij.

Në shqip dhe gjuhë të tjera

Comment

*