Ministri Hoxha në Prishtinë: “Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”

Prishtinë, 31 maj 2026 – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar sot në Prishtinë se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Tiranës Zyrtare. Ai e ka deklaruar mbwshtetjen e Shqipërisë për Kosovën përmes një deklarate të mëhershme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte thwnw se “Kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”.

“Kam ardhur këtu për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama: kush prek Kosovën, prek Shqipërinë. Kosova”, wshtw shprehur Hoxha pas takimit me nikoqirin e tij, ministrin e Punwve tw Jashtme dhe Diasporws, Glauk Konjufca.

“Shqipëria nuk do të pranojë e as tolerojë cenimin e qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë përherë krah Kosovës”, ka shtuar ai.

Shefi i diplomacisë shqiptare ka thënë edhe me këtë rast se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm politik, juridik dhe ndërkombëtar.

“Çdo kush që nuk e ka kuptuar ende që Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm politik, juridik e ndërkombëtar, jeton në një kohë tjetër dhe sheh ëndrra me sy hapur,” ka theksuar ai.

Hoxha ka theksuar gjithashtu se Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë.

“Ne në Tiranë, në Shqipëri, nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm ‘Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme’. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë e të pandarë, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah. Çdo dhimbje e Kosovës ndihet në Shqipëri, ashtu si çdo arritje e Kosovës festohet edhe në Shqipëri”, është shprehur ai.

Mikpritësi i Hoxhës, Glauk Konjufca, ka thënë se integrimi euro-atlantik dhe vlerat perëndimore janë orientim strategjik i kombit shqiptar, ndërsa Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë krah njëra-tjetrës në këtë rrugë.

Konjufca ia ka njohur Hoxhës meritat për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë zyrtarët evropianë, të cilët po i takoj edhe vetë, po thonë që Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është një arritje shumë e madhe, zoti ministër. Të përgëzoj edhe ty, sepse për shumë vite ke qenë në kryeqytetin e Bashkimit Evropian dhe e ke bërë punën siç është më së miri. Në këta hapa të fundit jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se ishte planifikuar që në muajin qershor të mbahej një mbledhje e përbashklët e qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, por ajo është shtyrë për më vonë për shkak të zgjedhjeve të parakoshme parlamentare që do të mbajen në Kosovë më 7 qershor.

(r.m.)

Comment

*