AARC TAKOHET ME KONGRESISTEN MALLIOTAKIS

Njohja e Kosovës nga Greqia, studentët, gjuha shqipe, dhe statusi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, roli amerikan në Ballkan, mes temave të bisedës

Përfaqësues të Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) u takuan me Kongresisten Nicole Malliotakis për një diskutim të frytshëm mbi çështje kyçe që shqetësojnë Ballkanin Perëndimor dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.

Ndër temat e diskutuara ishte rëndësia e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Greqisë dhe Kosovës, si dhe inkurajimi i një bashkëpunimi më të thellë që mund të çojë përfundimisht në njohjen formale të Kosovës nga Greqia.

Ne ngritëm gjithashtu shqetësime lidhur me të drejtat dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm amerikan dhe ndjekjes nga afër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për më tepër, diskutuam lëvizjen studentore që vijon dhe kërkesat e saj për llogaridhënie.

Gjithashtu informuam Kongresisten mbi vizitën e fundit të Delegacionit të Kongresit Amerikan (CoDel) në rajon dhe diskutuam rëndësinë strategjike të saj në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë takimit, Kongresistja Malliotakis shtroi disa pyetje mbi dinamikat rajonale, përfshirë se cilat vende janë më pro-amerikane, shkallën e ndikimit rus dhe kinez në rajon, si dhe mënyrën se si Serbia projekton ndikimin e saj në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ne theksuam se Kosova mbetet një nga shoqëritë më pro-amerikane në botë, ndërsa Shqipëria dhe komunitetet shqiptare në mbarë Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi kanë demonstruar vazhdimisht mbështetje të fortë për Shtetet e Bashkuara dhe aleancën transatlantike.

Diskutuam gjithashtu përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të ushtruar ndikim politik, ekonomik, mediatik dhe të sigurisë në të gjithë rajonin, përfshirë në Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, dhe Kosovë, shpesh në mënyra që komplikojnë integrimin euro-atlantik dhe përpjekjet për pajtim rajonal.

Takimi përfundoi me një premtim të përbashkët për të ruajtur komunikim të rregullt dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet zyrës së Kongresistes Malliotakis dhe AARC-së. Ne vlerësojmë interesimin e saj për informacion në vijim lidhur me nismat tona dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në çështje me rëndësi për Ballkanin Perëndimor. Në këtë kuadër, e ftuam atë që t’i bashkohet Kaukusit për Çështjet Shqiptare, i cili po zgjerohet vazhdimisht.

Takimi u drejtua nga Kryetari i AARC-së, Eli Rusi, dhe në të morën pjesë Nënkryetari Tony Marke, Sekretari Burim Rexhaj, anëtarët e Bordit Agim Jusufi dhe Vehbi Bajrami botues i gazetës “Illyria” në Neë York, si dhe mbështetës të tjerë të AARC-së.

AARC mirëpret vazhdimin e këtij dialogu të rëndësishëm dhe përparimin e politikave që promovojnë qendrueshmërinë, demokracinë dhe një angazhim më të fortë të Shteteve të Bashkuara në të gjithë rajonin e Ballkanit.