Kushtetuesja e rrëzon kërkesën për formimin e komisionit hetimor për çështjen “McGonigal”

Tiranë, 2 qershor 2026 – Gjykata Kushtetuese rrëzoi të hënën më 1 qershor kërkesën e 38 deputetëve të opozitës që kërkuan detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor me objekt “Verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”.

Mazhoranca socialiste bllokoi në shkurt të vitit 2023 kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “McGonigal” – ku ish-zyrtari i lartë i FBI-së akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama. Kërkesa e firmosur nga 42 deputetë të opozitës kishte si objekt verifikimin e porositjes apo dhënies së favoreve, ryshfetit apo pasurive publike agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal ose agjentëve të tjerë të përfshirë, me qëllim përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare.

Më 30 tetor të vitit të kaluar Kuvendi vendosi mosmiratimin e ngritjes së komisionit hetimor për çështjen “McGonigal” dhe deputetët e pozitës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me ankesë.

Gjykata Kushtetuese, vendosi të hënën më shumicë votash, se kërkimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave të krijuar nga vendimi i Kuvendit i tetorit 2005 dhe shfuqizimi i tij, nuk duhet pranuar, pasi nuk plotëson kriteret kushtetuese për ngritjen e këtij komisioni hetimor.

“Gjykata nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji për të vlerësuar kriterin kushtetues ‘çështje e veçantë’ të lidhur edhe me ekzistencën e indiceve të qarta, për shkak të qasjeve të ndryshme në arsyetim, sipas të cilave ky komision nuk duhej ngritur për shkaqe që lidheshin me indiciet apo parimin e ndarjes së pushteteve. Për rrjedhojë, ky kërkim bazuar në nenin 73, pika 4, të Ligjit Organik të Gjykatës konsiderohet i rrëzuar”, citohet në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar njëzëri të pranojë kërkesën e deputetëve të opozitës për pjesën tjetër të vendimmarrjes së Kuvendit të datës 30 tetor 2025, lidhur me mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Për rrjedhojë, u vendos shfuqizimi i vendimit të Kuvendit lidhur me këtë çështje.

Ky vendim, i hap rrugë ngritjes së komisionit hetimor, për shqyrtimin e pretendimeve të opozitës lidhur me administrimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura vitin e kaluar.

(Reporter)

Comment

*