Peticionet online kundër ndërtimeve në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës kanë mbledhur në pak ditë dhjetëra mijëra firma, duke iu bashkuar protestave fizike kundër projektit të mbështetur nga qeveria.
Nismat, të publikuara në platformën Change.org, u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare dhe atyre europiane që të ndërhyjnë për të garantuar mbrojtjen e lagunës së Vjosë-Nartës, ndërsa kërkojnë transparencë mbi projektet e planifikuara dhe studimet mjedisore që i mbështesin ato.
Në një prej peticioneve të firmosur nga më shumë se 35 mijë persona kërkohet ndërhyrja e Komisionit Europian duke e konsideruar zonën e Vjosë-Nartës si një “ekosistem unik dhe të pazëvendësueshëm me rëndësi ndërkombëtare”, pjesë të rrjeteve migratore të shpendëve në Europë dhe një habitat me vlera të veçanta për biodiversitetin.
“Çdo degradim i këtij ekosistemi do të përbënte një humbje të pakthyeshme për biodiversitetin, qëndrueshmërinë klimatike dhe brezat e ardhshëm”, thuhet në tekstin e peticionit.
Nëpërmjet peticioneve qytetarët shqiptarë kërkojnë që Komisioni Europian të monitorojë nga afër situatën, të nxisë një vlerësim të pavarur mjedisor dhe të sigurojë respektimin e standardeve europiane të mbrojtjes së natyrës, ndërsa qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama i kërkohet që të ndalojë shkatërrimin mjedisor.
Peticionet u publikuan pas rrethimit me tela me gjemba të një sipërfaqe të madhe toke brenda zonës së mbrojtur në funksion të një projekti turistik në zonën e Zvërnecit, ndërsa banorët e zonës dhe aktivistët mjedisore protestuan kundër projektit.
Organizatat mjedisore kanë kundërshtuar projektin, duke argumentuar se ndërhyrjet po zhvillohen në një zonë me vlera të larta ekologjike dhe se mungon transparenca mbi ndikimet e mundshme në mjedis.
Ndërsa banorët lokalë pretendojnë se u është tjetërsuar prona e trashëguar në mënyrë të paligjshme.
Kryeministri Rama mbrojti të hënën zhvillimin turistik edhe pse pranoi se nuk ka ende një projekt konkret të miratuar dhe as studim mjedisor për zonën.
Sipas tij, projekti përfaqëson një mundësi zhvillimi ekonomik dhe promovimi ndërkombëtar për Shqipërinë, ndërsa kritikët argumentojnë se përfitimet ekonomike nuk duhet të vijnë në kurriz të integritetit të një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit.
Ndërkohë po të hënën Prokuroria e Posaçme, SPAK, konfirmoi se ka nisur hetime mbi mënyrën e përfitimit të tokave në zonën e mbrojtur të Zvërnecit nga një rrjet i dyshimtë individësh dhe kompanish, si edhe mbi procedurat e zbatimit të projektit për ndërtimin e resorteve turistike, i promovuar si një investim i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner.
Një investigim i BIRN i publikuar të premten e kaluar, gjeti se pas projektit për ndërtimin e rezorteve, që është prezantuar publikisht si një ide e dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Jared Kushner, fshihet një rrjet vendor i dyshimtë individësh dhe kompanish. Aty përfshihen: një biznesmen i akuzuar për lidhje me mafian italiane, një ish-gjyqtar i dorëhequr për shkak të procesit të vetingut, vajza e një avokati të akuzuar për falsifikim, kompania e një biznesmeni të vrarë dhe individë të lidhur me një prej oligarkëve më të mëdhenj në Shqipëri, Shefqet Kastrati.