Rama: S’ka shans që investimi në Zvërnec të ndalojë sa kohë unë të jem këtu

Tiranë, 2 qershor 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar me ashpërsi ndaj vendimit të SPAK-ut për bllokimin e transaksionit të investitorëve të huaj në Zvërnec.

Sot, në një konferencës për shtyp, Rama ka thënë se është “shumë pozitive” vendimin e SPAK-ut që ta hetojë origjinën e pronës, ndërsa e ka cilësuar “të shëmtuar” hetimin e burimeve financiare të investitorëve. Ai ka theksuar se ata janë “investitorë me një reputacion të padiskutueshëm”.

“Kjo e SPAK-ut [hetimi i origjinës së pronës dhe hetimi i burimeve financiare të investitorëve] i ka dy pjesë: pozitive, që i takon SPAK-ut, dhe atë të shëmtuar, që u takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK-ut. Pjesa pozitive është ajo e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Është shumë pozitive që SPAK-u ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim. Pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndanë me opinionin publik gjysmë të vërteta, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, pasi investitorët që janë sot zotëruesit e pronës, duke ndjekur të gjitha procedurat që parashikon ligji shqiptar, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm. Burimet financiare të tyre, përmes të cilave është kryer pagesa te zotëruesit e pronës, sepse janë disa, janë verifikuar edhe më imtësisht nga Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave”, ka thënë Rama.

Ai e ka cilësuar “arbitrar” vendimin për bllokimin e transaksionit financiar.

“Investitorët janë në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e autoriteteve është arbitrar dhe negativ. Bllokimi i kalimit të parave te pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë e organit hetimor”, ka theksuar ai.

“Madje, unë e konsideroj pozitive edhe këtë, sepse në këtë mënyrë investimi vazhdon me pronarët e rinj dhe të ligjshëm, ndërsa në rast se hetimi nxjerr në pah një origjinë tjetër të pronës, ata që e pretendojnë atë fare mirë mund t’i marrin këto para. Kështu, të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar, nëse vërtet ka mashtruar po këtë e tregon hetimi”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, Rama ka paralajmëruar se investimi në Zvërnec nuk do të ndalohet derisa ai të jetë kryeministër.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë të jem këtu. Unë jam i hapur të diskutoj me këdo që ka pretendime. Nëse pretendimi është për pronën, falë ndërhyrjes së SPAK-ut ka rrugën e vet dhe mund të çojë në një zgjidhje ideale për faktin se ato para mund të shkojnë për të dëmshpërblyer pronarët, ndërkohë që të tjerët janë pronarë sot dhe janë pronarë bazuar në letrat e shtetit shqiptar”, ka theksuar ai.

Rama reagoi ndërkohë që në Tiranë organizohet për herë të dytë protestë e shoqërisë civile dhe qytetarëve kundër projektit të zonën e mbrojtur të Zvërnecit.

Kundër këtij projekti po nënshkruhet edhe një peticion online. Organizatorët thanë dhjetra mijëra qytetarë e kanë nënshkruar peticionin deri tashti.

(r.m.)

Comment

*