Tiranë, 2 qershor 2026 – Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) njoftoi se ka përfunduar monitorimin e procedurave të ndjekura nga autoritetet përgjegjëse gjatë dhe pas protestës së zhvilluar më 30 maj 2026 nga banorët e fshatit Zvërnec.
Gjetjet e këtij monitorimi tregojnë për prani personash civilë të paautorizuar që kanë dhunuar protestuesit, teksa përfaqësuesit e policisë nuk kanë vepruar në kohë për t’i ndalur ata.
“Sipas të dhënave të mbledhura nga KShH, protesta nisi dhe u zhvillua në mënyrë paqësore deri në momentin kur një banor i zonës, pjesëmarrës në protestë, u kap dhe u tërhoq me forcë brenda rrethimit të kantierit nga persona civilë, të cilët nuk ishin pjesë e strukturës së policisë private Myrto, që është kontraktuar nga investitori”, shkruhet në njoftimin për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Nga ana tjetër, të njëjtët persona të paautorizuar që hiqeshin si roje private, përdorën spraj djegës dhe hodhën gurë ndaj protestuesve dhe aktivistëve të pranishëm në terren.
Edhe pse sipas verifikimeve të KShH rezulton se Policia e Shtetit ishte njoftuar mbi zhvillimin e protestës, nuk rezulton të jenë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ndalimin apo shoqërimin e dhunuesve në momentin e kryerjes së veprave të dyshuara penale.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë kishte garantuar mbarëvajtjen e protestës dhe kishte hartuar një plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”, shkruan njoftimi i KShH.
Për këtë arsye, KSHH i bëri thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të hetojnë në mënyrë të gjithanshme mbi rrethanat e dhunimit të protestuesit dhe përdorimit të sprajit me piper nga personat e paautorizuar.
“Çdo përdorim force nga persona të paautorizuar ndaj qytetarëve kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe efektiv”, përfunduan përfaqësuesit e KShH në deklaratën e tyre për shtyp, duke theksuar se ata do të vijojnë të ndjekin me vëmendje ecurinë e hetimeve dhe respektimin e të drejtave të njeriut në trajtimin e kësaj ngjarjeje me interes të lartë publik.