Prishtinë, 3 qershor 2026 – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, ka thënë se Bashkimi Evropian mbetet partneri kryesor zhvillimor i Kosovës.
Zyra e Kurtit njoftoi se kryeministri në detyrë e ka vlerësuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për zhvillimin e Kosovës dhe këtë e ka “kthyer” me kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së.
“Kryeministri në detyrë Kurti e falënderoi Presidentin Costa për kontributin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës, mbështetje të cilën Kosova e ka kthyer në kultivimin dhe promovimin e vlerave të BE-së si dhe në forcimin e institucioneve”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kurti i ka thënë presidentit të Këshillit Evropian se Kosova “ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”.
“Me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Kurti e ka theksuar përkushtimin e qeverisë në procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që derivojnë nga Plani i Rritjes dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e marrjes së statusit kandidat”, thuhet në njoftim.
Zyrta e Kurtit njofton se në takim me Presidentin Antonio Costa është biseduar edhe për bashkëpunimin e Kosovës me institucionet e Bashkimit Evropian, si edhe për sigurinë në Kosovë e rajon dhe për bashkëpunimin rajonal.
(r.m.)