Rubio: Çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO s’është në agjendën e shteteve anëtare tani

Uashington, 3 qershor 2026 – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se çështja e anëtarësimit të Kosovës në NATO nuk është aktualisht në agjendën e shteteve anëtare të Aleancës.

“Ajo që kam vënë re është se tani për tani, NATO është shumë e përqendruar në disa çështje të tjera dhe zgjerimi, veçanërisht në rastin e Kosovës, nuk është në plan të parë të agjendës së disa prej këtyre shteteve”, ka deklaruar ai.

 Rubio e ka bërë këtë deklaratë gjatë një seance dëgjimore në Kongresin e SHBA-së, pas kërkesës së kongresmenit Keith Self që SHBA të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Kongresisti Keith ka thënë se Ballkani është një rajon i brishtë dhe i ndjeshëm ndaj sfidave të sigurisë. Ai ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është thelbësor për stabilitetin dhe ka kërkuar që Rubios ta ngrisë çështjen e Kosovës në samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara.

“Kemi katër aleatë të NATO-s që po bllokojnë hyrjen e Kosovës në NATO. E kemi çështjen e vështirë mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia e konsideron Kosovën provincë të saj. Shumica e shteteve të botës e njohin Kosovën si shtet sovran. Ju kërkoj që ta mbështesni anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka thënë si.

Kongresisti Self ka kërkuar gjithashtu vazhdimin e pranisë së forcave amerikane në Kosovë.

“Prezenca e trupave tona në atë rajon është shumë e rëndësishme, posaçërisht në KFOR”, ka thënë Self drejtuar Rubios.

Kongresisti republikan Keith Self është njëri ndër mbështetësit më të fuqishëm të aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Para një jave, bashkë me kongresistin demokrat Suhas Subramanyam, bëri një vizitë në Ballkan, për t’u njohur me situatën e sigurisë dhe me sfidat me të cilat përballet rajoni.

Gjatë vizitës në Prishtinë, autoritetet në Kosovë e kanë vlerësuar angazhimin e Kongresmentit Self për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe për vazhdimin e pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

(r.m.)