Tivat, 5 qershor 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me Kryeministrin e Republikës së Çekisë, Andrej Babiš, në margjinat e Samitit BE=Ballkani Perëndimor në Tivat.
Presidenca e Kosovës njofton se Haxhiu e ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
“Ajo vlerësoi marrëdhëniet e mira ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”, thuhet në njoftim.
Haxhiu ka shprehur mirënjohjen e Kosovës për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj të vazhdueshëm në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon.
Sipas njoftimit, në takim është diskutuar për rrugën evropiane të Kosovës dhe për rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit dhe Haxhiu ka kërkuar mbështetjen e Çekisë për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë dërgimin e Pyetësorit të Komisionit Evropian dhe ecjen drejt statusit të vendit kandidat.
Haxhiu e Babiš kanë diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve dhe për zgjerimin e bashkëpunimit midis Kosovës e Çekisë.
Haxhiu ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Çekinë dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Ajo ka theksuar se “Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, me mundësi të reja bashkëpunimi në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar”.
(r.m.)