Profesor Petraq Pilika: Homazh për arkitektin e matematikës në Shqipëri

Rafaela Prifti

Homazhi për Akademikun Petraq Pilika na kthen tek gjeneza e disiplinës së matematikës moderne në Shqipëri, prej nga nisi integrimi i shkencave të sakta, që janë sot konstantet prijëse në çdo sferë të jetës dhe transformimit tonë shoqëror.   

Dy vjet më parë, në 100 vjetorin e lindjes së akademikut Petraq Pilika (1924-2009), themelues i Katedrës së parë të Matematikës në Shqipëri dhe drejtues i saj për më shumë se tri dekada, Akademia e Shkencave nderoi kujtimin e tij monumental me emërtimin e çmimit të veçantë shkencor Pilika. Institucioni ua jep këtë çmim kërkuesve shkencorë për ecuritë në fushën e matematikës dhe shkencave kompjuterike në vend. Nga një vështrim i shpejtë i gamës së gjerë të ndikimit të tij vëren se ai ishte ideator dhe pjesëtar i ecurisë së shkencës së matematikës, duke nisur nga tekstet shkollore deri në hartimin e strategjisë së zhvillimit të saj, dhe krijimin e disa nën-disiplinave shkencore. Në kohën e sotme kur aplikimet janë kaq të përditshme dhe të kudogjendura, largpamësia e Profesorit është e pamohueshme. Duke qenë se koha sjell harresën, ia vlen të çpluhurosim tablonë e komplikuar të kultivimit të shkencave në hapat e parë të Shqipërisë së pasluftës. Në studimin Mathematics in Albania* (Matematika në Shqipëri) nga Profesori Peter R. Christopher i Institutit Politeknik të Usterit (Worcester Polytechnic Institute, WPI) përshkruhet rrugëtimi interesant dhe i vështirë i matematikës moderne në regjimin e kaluar. Kur ndryshimet gjeopolitike e izoluan Shqipërinë nga arteriet jetësore akademike të Bllokut Lindor, baza e ndërtuar nga Profesor Pilika e ruajti dhe e modernizoi matematikën si disiplinë shkencore. Me një balancë delikate mes trysnive politike, statusit disi të ‘privilegjuar’ të udhëheqjes për matematikën për shkak të lidhjes së saj me ambiciet teknologjike të regjimit komunist, siç vëren Prof. Christopher, dhe fushatat e spastrimeve të herëpashershme ‘teknokrate’ në katedra dhe institucione, Profesor Pilika, me kolegë, ishte timonieri i matematikës në Shqipëri.

Profesori i respektuar i Universitetit Politeknik të Tiranës Luigj Gjoka, banor në Nju Jork prej disa viteve, mban mend figurën autoritare dhe zemërmadhe e vizionare të matematicienit Pilika. “Ai përkrahte studentët e talentuar, edhe kur ata ishin, siç thuhej në kohën e diktaturës, “të prekur politikisht”. Në disa raste ka këmbëngulur dhe ia ka arritur që studentë të tillë të bëheshin anëtarë të Katedrës së Matematikës. Kjo vinte edhe për shkak të autoritetit të tij shkencor,” vëren ai.

Kur u themelua Universiteti i Tiranës në mesin e shekullit të 20-të, matematika nuk ishte ende një disiplinë e rrënjosur akademike në vend. Shefi i sapoemëruar i Katedrës së Matematikës, Pilika i kishte kryer studimet në Universitetin Lomonosov të Moskës (1946-1951) dhe asnjë nga kolegët e grupit të parë nuk e kishin doktoratën në atë kohë, thuhet në studimin Mathematics in Albania (Matematika në Shqipëri). Aty përshkruhet sesi për t’ia dalë mbanë, Profesor Pilika alternonte dijet e të diplomuarve të kulturës akademike franceze, specialistët sovjetikë të matematikës që vendosën piketat e standardeve teknike dhe talentet e reja, të etur për ta lëvruar këtë fushë shumë premtuese.

Një moment që e sjell në kujtesë Profesori Luigj Gjoka është koha e provimeve të pjekurisë, kur “Profesor Pilika shkonte në disa shkolla cilësore të vendit për të dëgjuar përgjigjet e nxënësve në provimin e matematikës, dhe pastaj ndikonte që më të mirët të vinin studentë në degën e Matematikës në Fakultetin e Shkencave Natyrore. Kjo solli që pedagogët dhe mësuesit e matematikës të kishin një nivel të spikatur.”

Krahas kultivimit të disiplinës matematikore, Profesor Pilika nxiste kërkimin e mirëfilltë shkencor ndërkohë që piketonte, me kolegë si Aleko Minga e të tjerë, kahjen drejt fushave të reja dhe shkencave kompjuterike. “Ish-studentët e Profesorit thonë se në dukje ishte i rreptë, i prerë, por gjithmonë i arsyeshëm dhe shumë i drejtë,” kujton Profesor Luigj Gjoka, dhe përmend shprehjen e tyre “Pilika të “jep hakun.” Ndërsa “si lektor,” vazhdon ai, “Profesor Pilika ishte pa mëdyshje më i miri. Kjo vinte prej kulturës së gjerë e të thellë, por, më shumë se kaq, vinte nga dashuria dhe pasioni i veçantë për matematikën.” 

Në listën e gjatë të arritjeve shkencore të arkitektit të matematikës në Shqipëri, lëvrimit të teorisë së funksioneve, dhe në radhitjen e titujve dhe përfaqësimeve në kongrese botërore të matematikës, më kapin syrin dy emërtime që janë përmbledhëse të figurës së Profesorit Petraq Pilika “Mësues i Popullit’ dhe “bir i Korçës.” Në përvjetorin e lindjes së tij, nderimi më i madh është përulja përpara mësuesit Petraq Pilika, i cili mbolli dituri në mendjet e shumë brezave dhe la gjurmë të pashlyeshme në altarin e shkencës shqiptare.

*Mathematics in Albania by Professor Peter R. Christopher, The Mathematical Intelligencer  

Comment

*