Prishtinë, 7 qershor 2026 – Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot votojnë për deputetë të Kuvenditt ë Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se procesi zgjedhor ka nisur në të në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se të gjitha vendvotimet janë hapur që në orën 7 të mëngjesit dhe nga terreni nuk është raportuar për vonesa apo probleme tenike apo të tjera.
Procesi zgjedhor zhvillohet në 949 qendra të votimit me gjithsej 2,550 vendvotime në mbarë Kosovën.
Sipas të dhënave të KQZ-së, në këto zgjedhje kanë të drejtë të votojnë 2 milion e 92 mijë e 174 qytetarë. Prej tyre, 22,685 qytetarë të rinj do të votojnë për herë të parë.
Për këto zgjedhje janë shtypur 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime, prej të cilave 1 milion e 605 mijë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 fletëvotime rezervë, si dhe 3 mijë e 500 për votimin e personave me nevoja të veçanta.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, u bëri thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në procesin e votimit që të respektojnë ligjin dhe rregullat zgjedhore. Ai tha se KQZ-ja i ka pënfunduar me kohë të gjitha përgatitjet për të gjitha fazat e procesit zgjedhor.
I gjithë procesi zgjedhor do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga KQZ. Ata i përfaqësojnë subjektet politike, organizatat joqeveritare, mediat, organizatat ndërkombëtare dhe përfaqësitë e huaja diplomatike në Kosovë. Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” do t’i ketë në terren 550 vëzhgues, të cilët do të vëzhgojnë mbarëvajtjen e procesit.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se për zgjedhjet e parakohshme që po mbahen sot janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, siç thuhet, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë gjatë procesit zgjedhor.
“Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit kanë votuar të shtunën në përfaqësitë diplomatike të Kosovës. KQZ njoftoi se procesi i votimit u zhvillua në 30 përfaqësi diplomatike e konzullore në Europë, Azi e Amerikë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se procesi i votimit u zhvillua “në mënyrë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore, duke reflektuar përkushtimin e qytetarëve tanë ndaj proceseve demokratike të vendit”.
KQZ njoftoi se e ka vënë në funksion platformën elektronike për publikimin e të dhënave për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime dhe për rezultatet paraprake të zgjedhjeve. Përmes kësaj platforme, qytetarët, mediat dhe subjektet politike mund të ndjekin në kohë reale ecurinë e procesit zgjedhor e pastaj ecurinë e procesit të numërimit të votave në gjithë Kosovën.
Kjo është hera e tretë brenda 18 muajsh që në Kosovë mbahen zgjedhje parlamentare. Këto zgjedhje mbahen për shkak se Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit kushtetues. Lëvizja Vetëvendosje, e cila i kishte fituar zgjedhjet e fundit, dhe partitë shqiptare që ishin në opozitë (Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) u akuzuar ndërmjet veti për “bllokim” të procesit për zgjedhjen e presidentit. Gjatë këtij procesi të dy palët nuk kishin vullnet për votimin e një kandidati konsensual.
(r.m.)