Përfundon votimi në Kosovë: Sipas exit poll-eve, konfiguracioni e skenës politike – pa ndryshime të mëdha

Prishtinë, 7 qershor 2026 – Të dielën në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajsh.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se në zgjedhje kanë marrë pjesë 715,632 votues apo 36,51 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve. Kjo pjesëmarrje është dukshëm më e vogël se pjesëmarrja në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025 dhe ato të dhjetorit 2025.

Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” që e ka vëzhguar procesin e votimit, tha se pjesëmarrja në zgjedhjet e sotme është rreth 10 përqind më e ulët se në zgjedhjet e vitit 2025.

Institucionet kompetente për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, komisionerët dhe vëzhguesit e zgjedhjeve raportuan se zgjedhjet e sotme ishin të qeta dhe u zhvilluan pa probleme e incidente që do ta lëndonin procession zgjedhor.

Të tillë e vlerësuan procesin e votimit edhe vëzhguesit ndërkombëtarë në raportet e tyre të para. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i cili ishte pjesë e ekipit të diplomatëve të vendeve të Bashkimit Evropian që e monitoroi procesin e votimit, tha se zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Dy exit poll-e që u publikuan nga televizionet në Kosovë, tregojnë se konfiguracioni i skenës politike në Kosovë nuk do të ndryshojë shumë nga ai i vitit të kaluar. Sipas të dy exim poll-eve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të dalë përsëri forcë e parë politike, me rreth 43 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të dalë e dyta, me rreth 22 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me rreth 17 për qind dhe Aleanca (ish-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës) e katërta me rreth 7 për qind.

Sipas këtyre rezultateve dhe pa përllogaritjen e votave me postë de votave të hedhura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, LVV-ja është kthyer në pozitën që e kishte pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, dukshëm nën pozitën që e kishte pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

Sidoqoftë, me këto rezultare, LVV-ja mund ta formojë qeverinë e re bashkë me subjektet e komuniteteve joshumicë, me të cilat kishte qeverisur në mandatin e kaluar qeverisës dhe në mandatin e ndërprerë.

Por, këto rezultate nuk e nxjerrin Kosovën nga ngërçi politik që e kishte bllokuar procesin e formimit tëinstitucioneve shtetërore kryesore. Për zhbllokimin e procesit është i domosdoshëm një kompromis i subjekteve politike, i cili ka munguar pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 dhe atryre të dhjetorit 2025.

Pas zgjedhjeve të shkurtit LVV-ja nuk e gjeti një subjekt politik për bashkëqeverisje, kurse pas zgjedhjeve të dhjetorit partitë parlamentare dështuan të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të vendit, brenda afatit kushtetues. Për këtë aarsye, Kuvendi u shpërnda vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, i shpalli zgjedhjet e reja të parakohshme, siç parasheh Kushtetuta e Kosovës.

Rezultatet zyrtare të subjekteve politike pritet të publikohen të dielën rreth mesnatës ose të hënën paradite, kurse rezultatet e kandidatëve pritet të marrin më shumë kohë.

Rezultatet paraprake publikohen në kohë reale në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

PLATFORMA E REZULTATETEVE

(r.m.)