Prishtinë, 7 qershor 2026 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i publikoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve të sotme parlamentare, pa përfshirë votat e dërguara me postë, votat e mërgimtarëve, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) i ka fituar 295,553 vota ose 43.04 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 144,974 vota ose 21.11 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 121,422 vota ose 17,68 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 49,520 vota ose 7.21 për qind. Nga partitë e komuniteteve pakicë e para ka dalë Lista Serbe, me 40,661 vota ose 5.92 për qind. Numërimi i votave të dërguara me postë, votave të mërgimtarëve, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta nuk mund të prodhojë ndryshime me ndikim në këtë konfiguracion të skenës politike.
Sipas këtyre rezultateve, Kosova do të ketë një qeveri të koalicionit ose do të shkojë në zgjedhje të tjera të parakonshme, në rast se nuk do të arrihej marrëveshje për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe ndonjërën nga tri partitë e renditura pas saj.
Po me kë do të duhet të bashkëqeverisë LVV-ja? Sipas rezultateve të zgjedhje këtë mund ta bëjë me LDK-në ose me PDK-në. Përndryshe nuk do të mund të sigurojë një shumicë që i garanton qeveri të qëndrueshme.
Sipas zhvillimeve pas zgjedhjeve të kaluara, LVV-ja e preferon LDK-në për partner të koalicionit qeverisës. Kryetari i sal, Albin Kurti, e ka shprehur këtë publikisht pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar, kur nuk i kishte votat e mjaftueshme për zgjedhjen e qeverisë, e pastaj edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit të vitit të kaluar, kur nuk i kishte votat e nevojshme për zgjedhjen e një të preferuari të tij për president të vendit.
Po tani? LDK-ja ka shënuar një rritje të vogël në përqindje, krahasuar me zgjedhjet e fundit. Ky rezultat e vë LDK-në në pozitë më të favorshme në ndarjen eventuale të pushtetit me LVV-në. Po kështu edhe në negociatat për pozitën e presidentit të ri të vendit, për të cilën është bashkuar me ish-presidenten Vjosa Osmani.
Sidoqoftë, epilogu përfundimtar mbetet i panjohur. Gjatë procesit të dështuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është provuar se Kurti nuk e mbështet rizgjedhjen e zonjës Osmani në këtë pozitë. Gjatë fushatës zgjedhore ka lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së njërit nga tre kandidatë jopartiakë të propozuar nga opozita. Sipas këtij kriteri, LVV-ja, më saktë Kurti, nuk do ta mbështeste kandidaturën e Osmanit, por tani është në pozicion më të dobët. Tani ka nevojë për një partner për bashkëqeverisje…
Përndryshe përpjekjet për krijimin e një qeverie stabile dhe për zgjedhjen e një presidenti konsensual, të pranueshëm për dy të tretat e përbërjes së Kuvendit të Kosovës, do të dështojnë përsëri dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja përsëri…
(r.m.)