Lista Serbe dhe Nenad Rashiqi përplasen për një ulëse në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë, 8 qershor 2026 – Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar, dhe partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga Nenad Rashiqi, përplasen për ulësen e dhjetë nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve, Lista Serbe i ka fituar 43.071 vota ndërsa partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit e ka fituar 5.285 vota. Sipas këtyre rezultateve, Lista Serbe pritet të ketë 9 nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, ndërkaq partia e Rashiqit pritet të ketë një ulëse.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, tha se Rashiqi e ka fituar një ulëse në Kuvendin e Kosovës me mbi 2.000 vota të shqiptarëve, prandaj e ka kontestuar legjitimitetin e tij si përfaqësues të serbëve.

“A është e mundur që serbët të përfaqësohen nga një njeri për të cilin votojnë shqiptarët?”, u shpreh Ellek.

Ai tha se Rashiq parti “rezultat katastrofal” në mjediset serbe.

“Ai nuk arriti t’i marrë as 3.000 vota në mjediset serbe. I fitoi vetëm 2.795 vota. Prandaj miqtë e tij, Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij, u kujdesën për të dhe ai mori 2.257 vota në mjediset shqiptare”, theksoi Ellek.

Sipas tij, popullariteti i Rashiqit është rritur te votuesit shqiptarë pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare të shkurtit të vitit të kaluar, duke qenë pjesë e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Nenad Rashiqi ka qenë vazhdimisht në shënjestër të Listës Serbe dhe të Beogradit zyrtar për shkak se ai ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në dy përbërjet e fundit të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequra nga Kurti.

Auroritetet në Serbi, përfshirë edhe presidentin Aleksandar Vuçiq, e kanë akuzuar Rashiqin për “përçarje” të serbëve në Kosovë. Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, sikurse edhe të atyre paraprake, Vuçiq u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë unanimisht për Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndërsa Rashiqin e ka etiketuar si dëmtues të interesave të serbëve të Kosovës dhe të Serbisë.

Rashiq, gjarë fushatës zgjedhore, ka bërë kallëzime publike ndaj udhëheqësve të Listës Serbe për ushtrim të presionit dhe shantazhim të mbështetësve të partisë së tij.

Policia e Kosovës i pat arrestuar drejtorët e shtatë institucioneve arsimore e shëndetësore në Kosovë që veprojnë në kuadrin e sistemit të Serbisë, për shkak se i kishin larguar nga puna disa punëtorë që nuk ishin mbështetës ë Listës Serbe.

 Një ditë para zgjedhjeve, Policia e Kosovës e arrestoi edhe një serb të dyshuar për dhënie të ryshfetit lidhur me votimin për zgjedhjet er 7 qershorit. I arrestuari ishte anëtar i organit të përkohshëm të komunës së Fushë Kosovës, i emëruar nga Beogradi.

(r.m.)