Ngritet aktakuzë ndaj gjashtë serbëve të dyshuar për vendosjen e barrikadave në veri

Prishtinë, 10 qershor 2026 – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë serbëve, të cilët dyshohen për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit D.M., D.D., M.R., N.J., N.O. dhe S.V. akuzohen se, në periudhën nga 10 deri më 29 dhjetor 2022, në komunat veriore të Kosovës, kanë vepruar në bashkëkryerje për të penguar institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe vendosjen e rendit kushtetues.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit, përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë organizuar dhe vendosur barrikada në rrugët kryesore, duke përdorur mjete të rënda, përfshirë kamionë të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.

Sipas aktakuzës, nga veprimet e tyre rezulton se pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm të sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion, në rast të ndërhyrjes së tyre për largimin e barrikadave dhe për rivendosjen e lirisë së lëvizjes.

Prokuroria ka bërë të ditut se hetimet ndaj 11 personave të tjerë të dyshuar për të njëtat vepra penale janë pezulluar përkohësisht, pasi ata ende nuk janë të arritshëm për organet e ndjekjes. Bëhet fjalë për të dyshuarit A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R. M.R. dhe M.R.

Mediet raportojnë se në mesin e këtyre është edhe Milan Radojçiq, udhëheqësi i grupit të armatosur serb që kreu sulmin terrorist në Banjkë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit 2024.

Barrikadat në pjesën veriore të Kosovës ishin ngritur pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili e kishte organizuar sulmin ndaj zyrave të komisioneve komunale zgjedhore në veri. Pantiq ishte dënuar me dy vjet burgim, në vitin 2025.

(r.m.)