Berlin, 10 qershor 2026 – Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet në Kosovë. Por, gazetat gjermane thonë se një qeveri e qëndrueshme është larg. Sipas tyre, pa një kompromis me opozitën për presidentin e ardhshëm, Kosova mund përballet me zgjedhje të tjera.
Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) shkruan se partia e Kryeministrit në detyrë Albin Kurti i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit 2026 në Kosovë me rreth 43 për qind të votave. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) doli e dyta me mbi 21 për qind, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli e treta me rreth 17,5 për qind, e katërta ishte AAK, me mbi 7 për qind.
Pjesëmarrja në votime ra në vetëm 37 përqind. Rreth 2 milion njerëz kishin të drejtë vote në Kosovë. Kjo është më shumë se 1.6 milion banorë të vendit, që ka të bëjë kryesisht me diasporën së saj të madhe. Ata jetojnë kryesisht në Evropën Perëndimore dhe mbështesin kryesisht partinë e Kurtit, shkruan FAZ.
Këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare të vendit në 16 muaj. Megjithatë, është e diskutueshme nëse kriza politike e gjatë në vendin ballkanik do të marrë fund tani, pasi parlamenti i mëparshëm u shpërbë për shkak se partitë nuk mundën të binin dakord për një kandidat presidencial. Kurti ka nevojë për partnerë koalicioni për të formuar një qeveri të re, si dhe një kompromis me opozitën për të siguruar shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të zgjedhur një President të ri shteti, shkruan FAZ.
Vendi më i ri dhe një nga vendet më të varfra në Evropë po përpiqet të bashkohet me Bashkimin Evropian, por zgjedhjet e parakohshme të vazhdueshme vonojnë reformat e nevojshme dhe marrjen e mjeteve financiare nga fondet e BE-së, shkruan FAZ.
TAZ: Rezultati është sukses i Kurtit, por…
Gazeta TAZ me seli në Berlin beson se rezultati i Lëvizjes Vetëvendiosje është sukses personal i Kurtit, i cili mbetet politikani me mbështetjen më të madhe në Kosovë, por ky rezultat i shfaq edhe kufijtë e pushtetit të tij.
Skena politike është e ndarë në tri kampe: Vetëvendosja e mbështet një kurs reformash të krahut të majtë dhe një linjë të ashpër ndaj Serbisë, ndërsa PDK-ja dhe LDK-ja në opozitë e përfaqësojnë establishmentin politik tradicional. Faktor vendimtar mund të jenë përsëri partitë më të vogla dhe përfaqësuesit e pakicave që më parë kanë bashkëpunuar me Kurtin për arsye pragmatike, shkruan TAZ.
Marrëdhënia midis Kurtit dhe ish-Presidentes Vjosa Osmani mbetet veçanërisht interesante. Vëzhguesit tregojnë rivalitete personale dhe ide të ndryshme për politikën e jashtme. Derisa Osmani e sheh zgjidhjen në kontakt të ngushtë me Donald Trump, Kurti këmbëngul në mbrojtjen e pavarësisë përballë Uashingtonit dhe Moskës, shkruan TAZ.
“Tani janë të hapura disa skenarë: një qeveri me mbështetjen e partive më të vogla të minoriteteve, një marrëveshje e vështirë me LDK-në ose përsëritja e bllokadës politike”, shkruan kjo medie.
Weber parashikon skenarin më të keq…
Frankfurter Rundschau nga Ippen publikoi opinionin e ekspertit të Ballkanit, Bodo Weber, i cili thotë se qeveria e Kurtit “po sundon me një dozë utoritarizmi, ndërsa shumica e partive opozitare po vuajnë nga kriza të thella të brendshme partiake”. Prandaj, Weber parashikon skenarin më të keq – vazhdimin e bllokadës së kahershme institucionale dhe zgjedhje të reja.
Weber thotë se e vetmja zgjidhje për këtë bllokadë do të ishte një përpjekje serioze për ndërmjetësim të jashtëm dhe thekson se BE-ja ka humbur besueshmërinë në Kosovë vitet e fundit. Ai thotë se arsye për këtë janë sanksionet e njëanshme të Brukselit ndaj Kosovës pas tensioneve në veri të vendit në vitin 2023, ndërsa Serbia nuk ishte ndëshkuar.
Weber e bën BE-në përgjegjëse për ngecjen e dialogut mes Kosovës e Serbisë.
“Dialogu politik i udhëhequr nga BE-ja ka qenë praktikisht i vdekur për më shumë se gjysmë dekade, dhe vetë BE-ja mban përgjegjësinë kryesore për këtë. Vazhdimi i krizës së vazhdueshme në Kosovë vetëm sa do ta errësojë përgjegjësinë kryesore të Brukselit”, thotë ai.
Süddeutsche Zeitung i kushton vëmendje deklaratës së Vjosa Osmanit, e cila tha se është në dispozicion për një mandat të dytë, por Kosova do të përballet me zgjedhje të reja nëse nuk sigurohet shumica në kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri.
(Sipas DW)