Në Kosovë arrestohen pesë serbë të dyshuar për krime lufte në Reçak

Prishtinë, 14 qershor 2026 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se gjatë një operacioni policor të zhvilluar të dielën janë arrestuar pesë persona të dyshuar për krime lufte të kryera në Reçak.

“Operacioni policor, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është duke i zhvilluar në rastin e njohur si “Reçaku II”, së bashku me Policinë e Kosovës, ka rezultuar me pesë persona të arrestuar”, thuhet në njoftim.

Rasti “Reçaku II” ka të bëjë me hetimet për Masakrën e Reçakut, të Shtimes, të kryer më 15 janar të vitit 1999, ku janë vrarë e masakruar barbarisht 42 civilë shqiptarë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Ilir Morina, bëri të dielën se të gjithë të dyshuarit që u arrestuan të dielën kanë qenë pjesëtarë të njësive të posaçme të Policisë së Serbisë që kanë marrë pjesë në aksionin e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

“Pasi kemi siguruar prova të mjaftueshme dhe kemi vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar lidhur me këta persona, kemi bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ku kemi kërkuar urdhërarrestin dhe urdhërkontrollin. Gjykata e ka aprovuar kërkesën dhe sot, në orët e para të mëngjesit, së bashku me policinë, e kemi zbatuar urdhrin dhe i kemi arrestuar pesë persona të përfshirë në Masakrën e Reçakut”, tha ai.

Prokurori Morina theksoi se dyshohet që personat e arrestuar kanë qenë pjesëtarë të njësive të policisë speciale të Serbisë që gjatë kohës së luftës në Kosovë drejtoheshin nga Goran Radosavleviq, i njohur me nofkën Guri.

Morina bëri të ditur se për identifikimin e të dyshuarve hetuesit kanë përdorur materiale të ndryshme, përfshirë edhe videoincizime televizive.

“Në procedurën e identifikimit, përveç tjerash, janë përdorur edhe dy incizime, njëri i publikuar nga RTK dhe tjetri nga Radio Televizioni i Serbisë”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Majori Bashkim Spahiu, tha se të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, pjesëtarë të komunitetit serb. Ai tha se policia nuk ka arritur ta arrestojë një të dyshuar tjetër, pasi ai nuk është

Spahiu nuk e publikoi identitetin e plotë të të arrestuarve, por, siç është praktikë, i tregoi vetëm inicialet e tyre.

N.P. i lindur më 5 shtator 1968, ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tani në pension;

S.J., i lindur në fshatin Gotovushë pranë Shtërpcës, oficer i Policisë së Serbisë, tani në pension;

B.P., i lindur në fshatin Sevcë, ish-punëtor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tani në pension;

S.M., i lindur më 17 prill 1968 në fshatin Viça pranë Shtërpcës, gjithashtu ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, tani në pension;

S.S., i lindur më 28 janar në Ponesh të Gjilanit, tani punonjës i Postës së Serbisë.

Spahiu bëri të ditur se gjatë operacionit janë siguruar dëshmi dhe materiale që ndërlidhen me dyshimet për krime lufte.

“Gjatë këtij operacioni hetuesit kanë arritur të gjejnë një mori provash që ne i konsiderojmë relevante lidhur me rastin”, tha ai.

Sapahiu tregoi se gjatë operacionit janë gjetur e sekestruar edhe armë, municione e pajisje të ndryshme ushtarake e policore, si edhe shuma të konsiderueshme parashë në euro, dollarë e valuta tjera.

Masakra e Reçakut ka qenë një ndër episode më të dhimbshme të luftës në Kosovë. Ajo shpërfaqi barbarinë e forcave militare e paramilitare serbe në Kosovë dhe politikën gjenocidale të Serbisë ndaj shqiptarëve.

Kjo masakër preku ndërgjegjen e botës demokratike e cila e vlerësoi të pashmangshme ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të parandaluar operacionet gjenocidale që kishin objektiv pastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Mbetjet e qindra shqiptarëve të vrarë në Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, pas përfundimit të luftës. Ata ishin transportuar në Serbi me qëllim që të fshiheshin krimet e kryera në Kosovë nga forcat serbe.

Mbi 1.500 persona nuk janë gjetur as sot e kësaj dite.

(r.m.)

 

Comment

*