Kurti: Është jetike t’i kemi sa më parë institucionet e reja

Prishtinë, 18 qershor 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me një mesazh falënderimi që në zgjedhjet e 7 qershorit Lëvizjes Vetëvendosje ia dhanë edhe një herë besimin që të qeverisë në Kosovë.

“Dje përfundoi procesi i numërimit të të gjitha votave. Ju falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë! Kjo fitore e fuqishme vjen si rezultat i mbështetjes së madhe qytetare brenda Repulikës dhe në mërgatë, si dhe angazhimit të mijëra qytetarëve vullnetarë, anëtarëve e aktivistëve të Lëvizjes që nuk u ndalën asnjëherë dhe siguruan mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, ka thënë ai në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Kurti ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit dëshmoi se ato ishin të panevojshme,

“Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit tregoi që nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja, sepse rezultati nuk ka ndryshuar aq shumë”, është shprehur ai.

Kurti ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje, si parti që doli e para në zgjedhje, do të nisë punën për formimin e institucioneve të reja menjëherë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

“Si VETËVENDOSJE! jemi rikonfirmuar si partia e parë, me 53 deputetë, dhe tash presim certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve në mënyrë që të nisim punën në drejtim të formimit të institucioneve të reja, për të vazhduar punët e mira dhe projektet zhvillimore. Nga viti i kaluar kemi humbur shumë kohë dhe është jetike të sa më parë të kemi Kuvend të konstituar, qeveria me mandat të plotë dhe president të zgjedhur”, është shprehur Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje doli bindshëm në zgjedhjet e 7 qëershorit. Ajo do t’i ketë 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës, nga gjithsej 100 ulëse që u takojnë subjekteve politike shqiptare. Tri partitë tjera shqiptare do t’i kenë bashkërisht 47 ulëse në Kuvend (PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7).

Sikurse edhe gjatë përbërjers së kaluar jetëshkurtër të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mund ta formojë qeverinë e re bashkë me subjektet politike të komuniteteve joserbe, pa përfshirë Listën Serbe. Por, ajo nuk mund ta zgjidhë çështjen e presidentit të ardhshëm të vendit pa një konsensus me PDK-në ose dy partitë tjera shqiptare bashkë për zgjedhjen e presidentit.

(r.m.)