Tri degë të LDK-së kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut

Prishtinë, 23 qershor 2026 – Tri degë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.

Degët e LDK-së në Pejë e në Lipjan dhe Dega e Dytë e LFK-së në Prishtinë e konsiderojnë Abdixhikun përgjegjësin kryesor për rezultatin e dobët të partisë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Dega e LDK-së në Pejë njoftoi se kryesia e saj ka kërkuar që udhëheqja e partisë të marrë përgjegjësinë për këtë rezultat. Sipas njoftimit, shumica e anëtarëve të kryesisë së degës “kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë” dhe kanë kërkuar dorëheqjen e saj.

Kryesia e degës së LDK-së në Lipjan njoftoi se kërkesa për dorëheqjen e Abdixhikut ka ardhur pas analizës së rezultatit të zgjedhjeve në këtë komunë. Ajo tha se dorëheqjen e kryetarit të LDK-së e konsideron si “standard të përgjegjësisë”.

“…pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj dege.

Dorëheqjen e Abdixhikut e ka kërkuar edhe dega e Dytë e LDK-së, e cila ka vlerësuar se LDK-ja “po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj”.

“Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës”, thuhet në deklaratën e kësaj dege.

Ajo ka thënë se “kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme” dhe ka kërkuar që Abdixhiku “të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”.

“Në këtë moment, askush nuk duhet ta përjashtojë veten nga përgjegjësia. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të japim llogari para anëtarësisë dhe qytetarëve: kryetari, kryesia, degët dhe nëndegët. Megjithatë, adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë. Prandaj, në këtë situatë kërkohen kurajë, veprim dhe guxim për ta rikthyer fuqinë dhe peshën e LDK-së”, thuhet në deklaratë.

Në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja i ka fituar 16.69 për qind të votave, rreth 3 për qind më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur Abdixhiku kishte ofruar dorëheqje nga pozita e kryetarit. Por, çështjen e dorëheqjes ia kishte kaluar kuvendit të partisë, ku e kishte fituar votëbesimin e shumicës së cilësuar. Pavarësisht kësaj, numri i zërave kritikë ndaj tij vetëmsa u shtuar, ndërsa arriti kulmet pas emërimit të anëtarëve të kryesisë, pas përfshirjes së ish-presidentes Vjosa Osmani në listën e kandidatëve të LDK-së dhe, sidomos, pas rezultatit të dobët në zgjedhje.

(r.m.)

Comment

*