Abdixhiku i kundërshton kërkesat për dorëheqje, kërkon dorëheqjen e Muhaxherit dhe Ahmetit

Prishtinë, 23 qershor 2026 – Kryetari i LDK-së ka reaguar dy herë lidhur me kërkesën e tri degëve të partisë për dorëheqjen e tij – degëve të Pejës e të Lipjanit dhe degës së Dytë në Prishtinë.

Në reagimin e parë ai ka çështja e përgjegjësisë së tij është “trajtuar” në kuvendin e partisë, më 31 janar, ndërsa për rezultatin e dobët në zgjedhje i ka fajësuar kryetarët e këtyre dy komunave, Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmetin. Ai ka thënë se pret që Muhaxheri dhe Ahmeti të japin dorëheqjes, të cilët i ka bërë përgjegjës për “rezultatin më të ulët ndër vite” në këto komuna, madje edhe për “sabotim të thellë” të LDK-së.

“Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm. Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së. Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë. Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë”, ka thënë Abdixhikun ë reagimin e parë.

Ndërkaq, në reagimin e dytë, e ka zbutur pak tonin, duke i bërë thirrje anëtarësisë së partisë për “durim” dhe duke shprehur besimin se do t’i “tejkalojë llogaritë e vogla”.

Abdixhiku ka thënë se ai ka marrë mesazhe mbështetëse nga kryetarë e nënkryetarë të degëve e veprimtarë, siç ka thënë, të pafund. 

“Falënderoj, nga zemra, të gjithë kryetarët e degëve, kryetarët e nëndegëve dhe gjithë ata veprimtarë të pafund, për mbështetjen e dhënë sonte. Mesazhet e juaja mbështetëse, publike e private, janë më shumë se çfarë mund të kërkoj unë dhe LDK. Të gjithë ne, jemi veçse kalimtarë në një mision shumë më fisnik; por kur rrugën se bëjmë vet, ndihemi vërtetë më njerëzisht”, ka shkruar ai në Facebook.

Në zgjedhjet e 7 qershorit LDK-ja i ka fituar 16.69 për qind të votave, rreth 3 për qind më shumë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur Abdixhiku kishte ofruar dorëheqje nga pozita e kryetarit. Por, çështjen e dorëheqjes ia kishte kaluar kuvendit të partisë, ku e kishte fituar votëbesimin e shumicës së cilësuar. Pavarësisht kësaj, numri i zërave kritikë ndaj tij vetëmsa u shtuar, ndërsa arriti kulmet pas emërimit të anëtarëve të kryesisë, pas përfshirjes së ish-presidentes Vjosa Osmani në listën e kandidatëve të LDK-së dhe, sidomos, pas rezultatit të dobët në zgjedhje.

(r.m.)

Comment

*