Prishtinë, 24 qershor 2026 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të pranohet nga të gjithë dhe se vullneti i qytetarëve, i shprehur në këto zgjedhje, duhet të përkthehet në institucione funksionale e demokratike.
“Qytetarët folën sërish qartë, rezultati duhet të pranohet e të respektohet dhe vullneti i popullit të zbatohet e të përkthehet në institucione funksionale e demokratike, të angazhuara dhe të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, industri dhe prodhim”, ka deklaruar Kurti të mërkurën, në mbledhjen e Qeverisë në detyrë.
Kurti i ka falënderuar qytetarët për procesin e qetë e demokratik zgjedhor, ndërsa ka përsëritur se rezultati i këtyre zgjedhjeve dëshmoi se Kosova nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja.
“Më lejoni t’i falënderoj qytetarët për procesin e rregullt dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë në mënyrë të përsëritur”, ka thënë ai.
Kurti ka paralajmëruar se diskutimet për formimin e institucioneve të reja do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve.
“Posa të certifikohet rezultati do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve – konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, është shprehur Kurti.
Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, menjëherë pas përfundimit të afatit ligjor për ankesa të subjekteve politike apo kandidatëve për deputetë. Deri më tash, në Gjykatën Supreme janë dërguar a nkesat e vetëm dy kandidatëve për deputetë, ankesat e të cilëve janë kualifikuar si të pabazuara.
Sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe Aleanca 7.
LVV-ja mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë me votat e deputetëve të subjekteve të komuniteteve pakicë me të cilat ka qeverosur dy mandatet e kaluara, por nuk mund ta zgjidhë çështjen e presidentit. Për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit asaj i duhet të arrijë nj% konsensus me partitë politike shqiptare në opozitë.
(r.m.)