Haxhiu: Pas konstituimit të Kuvendit, mandatohet kandidati për kryeministër

Prishtinë, 25 qershor 2026 – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas konstituimit të Kuvendit, kryetari apo kryetarja e re e Kuvendit do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër.

“Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja, kushdo që të jetë, do ta ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër”, ka thënë Haxhiu të enjten.

Haxhiu ka folur edhe lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ajo ka thënë se negociatat për arritjen e zgjidhjes me konsensus për këtë çështje do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj, pas certifikimit të rezultateve, natyrisht që do të ketë takime me partitë politike. Urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta votojë presidentin me mandat pesëvjeçar”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu ka thënë se ajo nuk do të jetë kandidate për presidente të vendit.

“Jo, nuk do të jem kandidate për presidente”, ka thënë ajo duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari.

Në javët e fundit ka pasur diskutime e dilema lidhur me rendin e hapave për formimin e institucioneve të reja të shtetit. Juristi Mazllum Baraliu ka deklaruar se, në rrethanat aktuale, Kuvendi duhet ta zgjedhë së pari presidentin e pastaj duhet ta zgjedhë qeverinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe eksponentë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë shprehimisht ose kanë lënë të kuptohet se çështja e presidentit do të trajtohet pasi konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë.

Sipas rezultateve të 7 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 53 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 22, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.  

Për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë, ndërsa qeveria formohet me shumicën e thjeshtë (61). 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i ka shpallur ende rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. KQZ është në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e dy kandidatëve të PDK-së. Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu kanë kërkuar rinumërim të plotë të votave të partisë së tyre.

Nëse ankesa e tyre hidhet poshtë nga Gjykata Supreme, KQZ-së i hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve dhe për certifikimin e tyre.  

(r.m.)