Prishtinë, 26 qershor 2026 – Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportet për 102 institucione të audituara në periudhën 2025/2026.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, në një konferencë për medie, ka thënë se mes gjetjeve të tjera të auditimit është edhe ajo se buxhetit të shtetit i janë marrë mbi 45.7 milionë euro nëpërmjet vendimeve gjyqësore. Ajo ka thënë se gjatë auditimit janë gjetur mangësi të natyrave të ndryshme.
“Gjatë vitit 2025, vlera e pagesave të realizuara përmes vendimeve gjyqësore ishte shumë e lartë, duke arritur në 45,691,077 euro. Gjatë testimit të pagesave të realizuara përmes vendimeve gjyqësore kemi identifikuar mangësi në klasifikimin, dokumentimin dhe verifikimin e tyre, si dhe vonesa në realizimin e pagesave përtej afatit ligjor prej 30 ditësh. Pagesat ishin realizuar nga kategori të ndryshme ekonomike, ndërsa në disa raste mungesa e urdhrave përmbarimorë nuk na ka mundësuar ndarjen e saktë ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve përmbarimore”, ka thënë Spanca.
“Rastet e identifikuara janë si më poshtë: Nga kategoria e investimeve kapitale ishin realizuar nëntë pagesa në vlerë prej 4,496,994 eurosh, ndërsa shpenzimet e kamatës dhe përmbarimit për këto pagesa ishin 81,800 euro”, ka thënë ajo.
Spanca ka bërë të ditur se nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, janë testuar 16 pagesa në vlerë prej 3,963,155 eurosh. Për pesë prej tyre, në vlerë prej 1,722,821 eurosh, ZKA ka siguruar dëshmi për shpenzimet e përmbarimit në vlerë prej 226,851 eurosh, ndërsa për 11 pagesa në vlerë prej 2,190,334 eurosh nuk i ka siguruar urdhrat përmbarimorë. Për pasojë, ZKA nuk ka mundur të përcaktojë ndarjen ndërmjet vlerës bazë, kamatës dhe shpenzimeve përmbarimore.
“Po ashtu, për një pagesë të realizuar nga kategoria e subvencioneve për paga dhe mëditje, në vlerë prej 134,445 euro, nuk janë siguruar urdhrat përmbarimorë, me qëllim të verifikimit dhe ndarjes së shpenzimeve. Në një rast tjetër, të një vendim gjyqësor i paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve në vlerë prej 147,143 eurosh për paga jubilare, kemi vërejtur se shuma prej 11,758 eurosh kishte të bënte me dy punonjës për të cilët debitor nuk ishte Komuna e Prishtinës, por Ministria e Punëve të Brendshme. Megjithatë, pagesa ishte realizuar nga Komuna, pasi këta punonjës ishin përfshirë në listën e pagesës”, ka thënë Spanca.
ZKA ka konstatuar se problemet kryesore kanë të bëjnë me pasaktësi në raportimin financiar, me shkelje të procedurave të prokurimit dhe me mangësi në menaxhimin e kontratave e të shpenzimeve publike.
ZKA ka evidentuar gjithashtu një seri shkeljesh sistematike në nivel qendror dhe lokal, si: hyrje në obligime pa mbulesë buxhetore, kontraktim të projekteve pa fonde të siguruara, vonesa në realizimin e investimeve kapitale dhe mosrespektim të procedurave të prokurimit publik. Po ashtu, ka evidentuar raste të pagesave me vonesë, angazhime të stafit jashtë procedurave ligjore dhe përdorim të mangët të sistemit të e-prokurimit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka thënë se deri më 30 qershor pritet të përmbyllen 88 auditime të detyrueshme të rregullsisë dhe ato 12 të ndërmarrjeve publike, ndërsa pjesa tjetër e auditimeve të pajtueshmërisë, auditimeve të performancës, auditimeve të klasifikuara dhe auditimeve të projekteve të Bankës Botërore pritet të finalizohet gjatë vitit.
(r.m.)