Beograd, 28 qershor 2026 – Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, e ka riaktualizuar çështjen e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë.
Të shtunën ajo ka ngritur dyshimet se në lokalitetin Pasulanske Livade në Serbi mund të jetë një varr masiv i shqiptarëve të vrarë në Kosovë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Kandiq ka thënë se këtë çështje e kishte ngritur në vitin 2008 në një takim me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac. Ajo tregon se ish-ministrin serb e kishte informuar për një bisedë që e kishte zhvilluar me një person që kishte thënë se kishte qenë shofer i kamionit me të cilin ishin transportuar trupat e viktimave nga Kosova në bazën ushtarake “Pasuljanske Livade”.
“Varri masiv i mundshëm në Pasuljanske Livade ka qenë temë e takimit tim me ministrin e Mbrojtjes të Serbisë, Dragan Shutanovac, në vitin 2008. E kam njoftuar se kisha biseduar me një person që pretendonte se kishte qenë shoferi i kamionit frigoriferik me të cilin trupat ishin transportuar nga Kosova në bazën ushtarake Pasuljanske Livade”, ka shkruar Kandiq.
Ajo ka thënë se ai person kishte kërkuar para në këmbim të informacioneve shtesë, por ai nuk ishte paraqitur më asnjëherë, sikur as ish-ministri Shutanovac.
“Ka kërkuar para në këmbim të më shumë informacioneve. Kurrë më nuk është paraqitur. Menjëherë e kam informuar ministrin Shutanovac. As ai nuk është paraqitur kurrë më”, ka shkruar Kandiq.
Pasulanske Livade është një nga bazat kryesore të stërvitjeve të ushtrisë serbe. Dyshohet se në këtë bazë janë trajnuar edhe pjesëtarët e grupit të armatosur serb që e kreu sulmin terrorist në Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator 2023.
(r.m.)