Holanda: Rusia mund ta sulmojë NATO-n një vit pas përfundimit të luftës në Ukrainë

Hagë, 29 qershor 2026 – Rusia mund të nisë një fushatë “të kufizuar” ushtarake kundër një shteti të NATO-s vetëm një vit pasi të ketë përfunduar lufta në Ukrainë, paralajmëroi Ministria e Mbrojtjes e Holandës më 29 qershor.

Në dokumentin e saj vjetor për strategjinë e politikave të mbrojtjes, ministria tha se Evropa është në një “zonë gri” mes luftës dhe paqes, duke u zotuar se do të rrisë investimet në mbrojtje të Holandës, duke përmendur veçmas dronët.

“Shërbimet holandeze të inteligjencës vlerësojnë se Rusia po përgatitet për një konfrontim afatgjatë me Evropën”, u tha në raportin e Ministrisë holandeze të Mbrojtjes.

“Në skenarin më të keq, një luftë e kufizuar kundër anëtarëve të NATO-s ka mundësi të ndodhë brenda një viti pasi lufta e Rusisë në Ukrainë të përfundojë”, thanë zyrtarët.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022.

Paralajmërimi vjen teksa anëtarët e NATO-s po përgatiten për samitin e aleancës në Ankara të Turqisë më 7 dhe 8 korrik, gjatë të cilit, kërcënimi nga Moska pritet të jetë lart në agjendë.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Rusia “mund të jetë e gatshme të përdorë forcë ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vjetësh”.

Për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, Holanda i ka vënë qëllim vetes që brenda pesë vjetësh, gjysma e aftësive të saj operacionale të jetë me pajisje pa pilot.

Për të arritur këtë, Qeveria holandeze synon që të krijojë një “laborator të posaçëm zhvillimor”, i dizajnuar për ndërtimin e dronëve që mund t’iu kundërvihen kërcënimeve nga dronët luftarakë.

“Pyetja është nëse Evropa dhe Holanda do të jenë të forta mjaftueshëm në kohë për të mbrojtur lirinë tonë, sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës”, tha ministrja e Mbrojtjes, Dilan Yesilgoz.

“Kjo është përgjegjësi për çdo brez, por rrallë ka qenë kaq urgjente”, shtoi ajo.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*