BE bën thirrje për formim të shpejtë të institucioneve funksionale në Kosovë

Prishtinë, 1 korrik 2026 – Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione plotësisht funksionale për të përshpejtuar zbatimin e reformave dhe avancimin në procesin e integrimit evropian.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të 7-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të mbajtur të martën në Prishtinë, ku u shqyrtuan zhvillimet politike, ekonomike dhe zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).

“BE-ja nënvizoi rëndësinë e institucioneve plotësisht funksionale për përshpejtimin e nevojshëm të procesit të reformave. BE-ja theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet përpjekje e tërë shoqërisë, e mbështetur nga një konsensus i gjerë dhe i qëndrueshëm publik. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i shtuar ndërmjet partive politike, konsultimi kuptimplotë me shoqërinë civile dhe angazhimi me pushtetin lokal mbeten faktorë të rëndësishëm për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrisë të Kosovës.

“BE-ja mirëpriti përparimin në fushat që lidhen me konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse, veçanërisht në politikat sociale dhe punësim, transformimin digjital, tatimet, politikat ekonomike dhe monetare, arsimin dhe kulturën, dhe doganat. Duke njohur përparimet e arritura së fundmi në demokraci dhe sundimin e ligjit, BE-ja theksoi nevojën për të përshpejtuar dhe prioritizuar reformat që janë në pritje, veçanërisht në administratën publike, lirinë e shprehjes, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe të të drejtave të personave që u përkasin komuniteteve joshumicë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Qeveria e Kosovës “vuri në pah përparimet e arritura dhe rikonfirmoi përkushtimin e saj për avancimin e agjendës së reformave, zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përparimin në rrugën evropiane”.

Në takimin e Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë shqyrtuar zhvillimet kryesore politike gjatë periudhës së fundit dhe është bërë një vlerësim i zbatimit të kritereve politike dhe ekonomike, përafrimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së dhe i zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Sipas njoftimit, diskutimet janë përqendruar në prioritetet e reformave në fusha të ndryshme.

“Në përfundim të takimit, të dyja palët u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin për zbatimin e reformave dhe avancimin e aspiratave evropiane të Kosovës. Bashkimi Evropian rikujtoi se mbetet partneri më i madh dhe më i besueshëm i Kosovës, duke theksuar se që nga viti 1999 ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në vend dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

(r.m.)