Prishtinë, 1 korrik 2026 – Kosova pritet të humbasë mbi 40 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, për shkak të moszbatimit me kohë të reformave.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, tha se gjashtë hapa nuk u zbatuan deri në afatin shtesë që skadoi më 30 qershor.
“Për hapat që nuk kanë arritur të përfundohen në periudhën shtesë, mjetet e dedikuara për përfundimin e tyre humbin. Nga 13 hapat që kishin afat shtesë deri më 30 qershor, shtatë konsiderohen të zbatuar, ndërkaq gjashtë nuk kanë arritur të zbatohen plotësisht. Nga këta gjashtë hapa, ka zbatim në disa nënhapa. Kostoja llogaritet të jetë mbi 40 milionë euro. Vlera e saktë do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, varësisht nëse do t’i llogarisë edhe nënhapat e zbatuar”, tha Zulfaj në një konferencë për media, të mërkurën.
Zulfaj tha se reformat që nuk u përmbyllen me kohë kanë të bëjnë me një sërë legjesh që duhen të miratohen nga Kuvendi, përfshirë Ligjin për energjinë dhe atë për energjinë elektrike, për sistemin e kontrollit të ndihmës shtetërore, Ligjin për inovacion, atë për kamatëvonesat, pakon e ligjeve për reforma në drejtësi që, sipas tij, përfshin gjashtë ligje, përfshirë ato për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe atë Gjyqësor si dhe Strategjinë për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Kryenegociatori i Kosovës me BE-në tha se nga gjashtë reformat e pazbatuara, pesë prej tyre kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve apo 83 për qind kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve në Kuvend.
“Me fjalë të tjera, pothuajse të gjitha hapat që nuk kanë arritur të zbatohen janë si pasojë e bllokadës dhe mosfunksionimit të Kuvendit”, tha ai.
Agjenda e reformave përfshin 111 hapa me akte nënligjore që përfshijnë rreth 300 nënhapa të tjerë.
Kosova aktualisht është me ekzekutiv në detyrë, pasi vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 7 qershor dhe rezultati zgjedhor ende nuk është certifikuar. Vitin e kaluar, Kosova organizoi dy palë zgjedhje, në shkurt – që ishin të rregullta – dhe më pas në dhjetor, pasi nuk kishte konsensus për krijimin e institucioneve.
Vetëm pas certifikimit të rezultateve të 7 qershor hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.
Zulfaj në konferencën për media tha po ashtu se edhe 49 hapa të tjerë janë në zbatim e sipër, përfshirë 27 prej tyre që kanë afat për zbatim deri në fund të këtij viti.
Kosova është përfituesi më i madh për kokë banori nga fondi i Planit të Rritjes. Asaj i janë ndarë rreth 882 milionë euro nga fondi prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027. Prej tyre 253 milionë janë planifikuar si grante dhe 629 milionë euro si kredi.
Në prill, Kosova përfitoi pjesën e parë të fondeve të parafinancimit, duke marrë 61.8 milionë euro, pasi shteti dorëzoi dokumentet e nevojshme në KE dhe ratifikoi marrëveshjet e lidhura me këtë plan.
Plani i Rritjes i BE-së, përveç tjerash, synon të dyfishojë rritjen ekonomike të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në këtë union gjatë dhjetë vjetëve të ardhshme.
(r.m.)