A mund të më vijë më shpejt karta e punësimit? Kam frikë se humbas vendin e punës

Çështje të Emigracionit: Përgjigjet Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Po. Ata që gëzojnë përfitime nga imigracioni mund të kërkojnë që USCIS (Shërbimet e Imigrimit dhe Qytetarisë së Shteteve të Bashkuara) të përshpejtojnë aplikimet ose peticionet e tyre. USCIS shqyrton një nga një çdo kërkesë përshpejtimi dhe mund të kërkojë dokumente shtesë që justifikojnë kërkesa të tilla. Vendimi për të miratuar një kërkesë përshpejtimi është vetëm në dorë të USCIS-së. Për arsye se pranimi i një kërkese të tillë, do të thotë që USCIS e vendos aplikuesin në krye të radhës, duke kapërcyer njerëzit e tjerë, USCIS i gjykon me kujdes këto raste në mënyrë që ato vërtet të meritojnë përshpejtimin e rastit të tyre.

Pesë vite më parë, nevojiteshin zakonisht tre muaj që USCIS të lëshonte një dokument autorizimi për punënsim (EAD) apo për falje paraprake për leje udhëtimi (AP). Përpara pandemisë, USCIS e kishte zgjatur këtë kohë deri në gjashtë muaj. Tani USCIS-së mund t’i duhen deri në gjashtë muaj në mos më shumë për të nxjerrë këto dokumente. Këto vonesa krijojnë vështirësi të mëdha për organizatat dhe individët. USCIS mund të përshpejtojë kërkesat për përfitim nëse rrezikohet që të ketë humbje të rënda financiare për kompaninë ose për personin. Mirëpo, nevoja për përshpejtim nuk duhet të ketë dalë ngaqë aplikuesi apo peticionuesi nuk e dërgoi në kohë kërkesën për përfitim apo nuk iu përgjigj në kohë kërkesës për dokumente e dëshmi shtesë. USCIS mund të përshpejtojë një peticion për arsye humanitare urgjente apo raste emergjence.

Humbja e vendit të punës mund të jetë e mjaftueshme për të argumentuar humbje të rënda financiare për personin, në varësi të rrethanave individuale. Për shembull, pamundësia për të udhëtuar për arsye pune që do të bëhej shkas për ta humbur punën, mund të justifikojë përshpejtimin e procesit. Nevoja për të marrë thjesht një autorizim pune, pa prova faktorësh të tjerë detyrues, nuk do të justifikonte përshpejtimin e procesit. Gjithashtu, humbje e rëndë financiare mund të konsiderohet edhe rasti kur mungesa e përshpejtimit do të sillte humbje përfitimesh dhe shërbimesh kritike publike.

Në kontesktin e një kërkese për përshpejtim, arsyet humanitare janë ato që lidhen me mirëqënien njerëzore. Shembujt mund të përfshinë sëmundje, aftësi të kufizuara fizike, rrethana të skajshme jetese, vdekje në familje, nevojë kritike për të udhëtuar për të siguruar trajtim mjekësor urgjent, e shumë të tjera si këto. Një emergjencë mund të përfshijë nevojën urgjente për të përshpejtuar autorizimin e punësimit për punonjës të shërbimit shëndetësor gjatë gjendjeve të jashtëzakonshme kombëtare si pandemia e KOVID-19. Përveç këtyre, një kërkesë për përshpejtim mund të merret në konsideratë nën kriterin që siguria e një personi në rrezik mund të komprometohet nga ndonjë shkelje e konfidencialitetit për shkak të vonesës në procedimin e kërkesës për përfitime. Dëshira e kërkuesit të përfitimeve për të udhëtuar diku për pushime nuk përmbush, në përgjithësi, kushtin për ta quajtur emergjencë.

Arsyeja për kërkesën për përshpejtim duhet shpjeguar në mënyrë të qartë dhe të thjeshtë, e mbështetur me dokumentet në zotërim. Edhe në rrethanat vështirësish për persona që meritojnë dashamirësi, USCIS mund të mos jetë në gjendje që ta përshpejtojë rastin. Në thelb, nëse USCIS mendon se individi e ka një alternativë për ta zgjidhur situatën, apo se një organizatë e ka tepruar me kërkesa, atëhere agjensia ka më pak gjasa që ta lejojë përshpejtimin. Kërkesa të paqarta, apo kërkesa që vijnë nga situata normale, (me humbje të parashikueshme rrogash), kanë më pak mundësi që të pranohen.

Në përgjithësi mund të kërkoni përshpejtimin e procesit duke telefonuar Qendrën e Kontaktit të USCIS-së në 800-375-5283 (TTY 800-767-1833) apo duke kërkuar në “Emma” pasi t’ju ketë ardhur njoftimi i marrjes [së aplikimit]. (Mund të hyni tek “Emma” duke klikuar në lart në të djathtë, në këtë faqe) Qendra e Kontaktit të USCIS-së nuk do të jetë në gjendje t’jua përshpejtojë rastin, në zyrën e duhur, pa numrin e duhur të njoftimit të marrjes.

Kur telefononi për të kërkuar përshpejtimin e procesit, Qendra e Kotaktit të USCIS-së krijon dhe ridrejton një kërkesë për shërbim zyrës që ka juridiksion mbi aplikimin ose peticionin tuaj. Pas marrjes së kërkesës për shërbim, zyra shqyrtuese mund të kërkojë dokumentacion shtesë për të mbështetur procedimin e përshpejtuar. Vendimi për ta përshpejtuar nuk është njësoj me aprovimin e kërkesës, ajo përsëri mund të mos miratohet nëse kërkuesi nuk kualifikohet për dokumentin apo përfitimin që ka kërkuar. Vendimi për përshpejtim thjesht informon aplikuesin nëse USCIS do ta shqyrtojë kërkesën për përfitim në datën që i takon apo në një datë shumë më të hershme dhe do të njoftojë vendimin (aprovim ose mosaprovim) më shpejt se sa nevojitet normalisht.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]