A mund t’i hiqet Hungarisë Presidenca e Këshillit të BE-së?

Berlin, 15 korrik 2024 – Kryeministri hungarez, Viktor Orban, vendit që mban presidentin e radhës po zemëron BE me turet e udhëtimit nëpër botë. Por a mund t’i merret Hungarisë presidenca e BE?

Që prej marrjes së Presidencës së Këshillit të BE-së, më 1 korrik kryeministri hungarez ka shkaktuar zemërim në BE. Fillimisht ai vizitoi presidentin rus, Vladimir Putin, më pas udhëtoi në Pekin për t’u takuar me Presidentin Xi Jinping. Dhe së fundi, Orban u largua herët nga samiti i NATO-s në Uashington për t’u takuar me ish-presidentin amerikan Donald Trump. BE nxiton të thotë, se Orban nuk flet në emër të BE. Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz e theksoi këtë.

Shumë qeveri të BE-së po e humbasin ngadalë durimin. Orban po e bën veten një mjet të bindur të diktatorit në Kremlin, shkroi kryeministri polak Donald Tusk me qartësi të pazakontë në platformën e mesazheve të shkurtra X. Kryeministri hungarez duket se ndihet i sigurt nga pasojat – por ai mund të gabojë.

Paralajmërime të hershme

Parlamenti Evropian paralajmëroi nga dhënia e presidencës Orbanit në një rezolutë më shumë se një vit më parë. Hungaria nuk është në gjendje ta përmbushë këtë detyrë “në një mënyrë të besueshme”, thuhej në rezolutë.

“Kjo do të ishte sikur ta bëje një nxënës të dhunshëm drejtor shkolle”, paralajmëroi në atë kohë eurodeputeti i FDP-së, Moritz Körner.

Rezoluta u miratua me 442 vota, 144 deputetë ishin kundër dhe 33 abstenuan. Vendeve anëtare të BE-së iu kërkua të gjenin një “zgjidhje të përshtatshme” sa më shpejt të ishte e mundur – por asgjë nuk ndodhi sepse rezoluta nuk ishte detyruese.

BE nuk ka parë kurrë më parë një presidencë si kjo

Tanimë europarlamentarët ndihen të konfirmuar në pikëpamjen e tyre.

“Presidenca e Këshillit duhet t’i hiqet Viktor Orbanit. Në fakt, ai nuk duhet ta kishte marrë atë që në fillim”, tha deputeti i Parlamentit Evropian, Daniel Freund nga të Gjelbrit, një nga kritikët më të ashpër të Orbanit.

“Një presidencë si kjo, BE nuk e ka parë më parë”, thotë Freund.

“Një vend që BE i ka ngrirë një pjesë të madhe të fondeve për shkak të shkeljeve të shumta të shtetit ligjor dhe korrupsionit’ nuk duhet të flasë për të gjithë BE-në dhe “sigurisht nuk duhet të shfaqet në këtë mënyrë në Moska dhe Pekini”, thekson ai.

Dy modele kundër Orbanit

Do të kishte dy mënyra për të korrigjuar këtë gabim: BE-ja mund të prezantojë kritere që një vend duhet të përmbushë për të marrë presidencën e Këshillit. Një pjesë e këtyre kritereve mund të jetë që një vend kundër të cilit janë në vazhdim procedurat për shkeljen e vlerës themelore dhe të cilit Komisioni i BE-së i mban fondet për shkak të shkeljeve të sundimit të ligjit, mund të mos e marrë presidencën. Kjo është një ide që qarkullon këto ditë në Bruksel.

Një alternativë tjetër që dëgjohet edhe në grupet parlamentare: të afrohet data e fillimit të presidencës së ardhshme. Kjo do të bënte që Polonia, pasardhësja e radhës do ta merrte këtë rol që në dhjetor.

“Dëmi që shkaktoi Orban në javët e para të presidencës së tij të Këshillit nuk duhet të vazhdojë pa u ndëshkuar,” kërkojnë Freund dhe deputetë të tjerë evropianë.

Shkelje e parimit të besnikërisë

Por, pyetja thelbësore mbetet: A mund të shkarkohet Orban nga posti i tij në BE apo BE ka mënyra të tjera si t’ia tregojë vendin?

Daniel Hegedüs, ekspert i Evropës Qendrore dhe Lindore në qendrën studimore, Marshall Fund në Berlin, beson se kjo është e mundur. Orbani është i detyruar të veprojë me besnikëri dhe solidaritet për BE, por ai e ka shkatërruar këtë parim si kryetar i presidencës. Po ashtu ai nuk ka kompetenca të politikës së jashtme.

Vërtet Orban siguroi në një letër drejtuar krerëve të qeverive të BE-së se ai nuk po udhëtonte në Moskë dhe Pekin në emër të BE-së. Por, sipas Hegedüs, ai perceptohet gjithmonë si një përfaqësues zyrtar i BE-së dhe duhej të ishte i vetëdijshëm për këtë.

“Jo vetëm një tërheqje e presidencës, por edhe një tërheqje e të drejtës së votës është e vonuar dhe gjithashtu e mundur”, thotë studiuesi.

Masat e para kundër Orbanit

Megjithatë, shumë diplomatë të BE-së janë skeptikë dhe qeveritë e BE-së duket se po i shmangen tërheqjes së presidencës. Në takimin e tyre të fundit, ambasadorët e BE-së e shprehën hapur zemërimin e tyre ndaj Orbanit. Por, një “tërheqje” e presidencës së BE nuk ishte në rendin e ditës dhe nuk do të jetë çështje në të ardhmen”, shpjegoi më pas ministri hungarez për Evropën, Janos Boka.

Megjithatë, disa shtete kanë marrë masa demonstrativisht. Lituania njoftoi se nuk dërgojë “përkohësisht” ministrat e saj në takime që mbahen në Hungari në kuadrin e presidencës, por kjo vlen për takime jozyrtare. Në vend të ministrave do të dërgohen përfaqësues të lartë. Suedia gjithashtu njoftoi se nuk do të dërgonte ministra në Budapest. Estonia, Letonia dhe qeveri të tjera të BE-së duan të ndjekin këtë shembull, por nuk kanë dhënë ende detaje.

(DW)