A po e humb Vuçiqi mbështetjen e së djathtës?

Beograd, 3 korrik 2025 – Më fjalime për “ruajtjen e Kosovës si pjesë të Serbisë” dhe me flamuj nacionalistë, narrativët e krahut të djathtë kanë gjetur vend edhe në tubimet antiqeveritare në Serbi.

Deri më tash, diskursi nacionalist ka dominuar vetëm tubimet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet dhe fjalimet e zyrtarëve të koalicionit qeverisës.

Megjithatë, tubimi më i madh i mbajtur në festën shtetërore dhe fetare të Vidovdanit në Serbi, me fjalime për Kosovën dhe patriotizmin serb, është organizuar nga studentët protestues që kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme nga autoritetet.

Dushan Spasojeviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se SNS-ja vazhdon të jetë “më e bazuar” në çështjet e ideologjisë së djathtë, por se, ngadalë, po humbet një burim të rëndësishëm politik.

“Një nga gjërat kryesore që ka ndryshuar në muajt e fundit, është se SNS-ja ka humbur aftësinë për të organizuar ngjarje të mëdha dhe, madje, ka probleme në realizimin e fushatave”, thotë Spasojeviq për Radion Evropa e Lirë.

Në protestën studentore më 28 qershor, në të cilën kanë marrë pjesë disa mijëra njerëz, ka folur edhe profesori universitar, Millo Llompar, i njohur për pikëpamjet e tij djathtiste.

“Në Kushtetutë, Kosova dhe Metohia është pjesë ‘e patjetësueshme’ e Serbisë”, ka thënë Llompar në protestë.

Edhe pse Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 100 vende të botës, ajo vazhdon të jetë në Kushtetutën e Serbisë si pjesë e territorit të këtij vendi.

Gjatë fjalimit të Llomparit janë dëgjuar brohoritje si: “Kosova është zemra e Serbisë”.

Për domosdoshmërinë e “shpëtimit të Kosovës”, në protestë ka folur edhe politikani serb nga Kosova, Momçillo Trajkoviq.

Zharko Koraq, profesor i pensionuar nga Universiteti i Beogradit, mendon se për shkak të krizës së shkaktuar nga protestat masive – të udhëhequra nga studentët në bllokadë – mund të ndodhë që mbështetja për SNS-në nga njerëzit që i përkasin spektrin të djathtë politik, të bjerë.

“Pushteti në Serbi po lëkundet. Këtu po ndodh një pragmatizëm politik – njerëzit po e shohin që gjërat ndryshojnë dhe ata ndryshojnë anë, duke iu ofruar mbështetje alternativave”, thotë Koraq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë tashmë kritika nga e djathta ekstreme që është proruse.

“Parim i Vuçiqit është të marrë vota kudo ku mundet, dhe koalicioni në pushtet nuk është aspak një grup me profil ideologjik. Nuk jam i sigurt që e djathta ka hequr dorë prej tij”, thotë Koraq.

“Imazhi nacionalist” i pushtetit

Presidenti i Serbisë po e ndërton imazhin e një nacionalisti kryesisht përmes mediave nën kontrollin e tij, por edhe nga koha kur ishte një prej udhëheqësve të Partisë Radikale Serbe, ultra të djathtë, thotë Spasojeviq.

“SNS-ja njihet nga elektorati i krahut të djathtë si nacionaliste, pavarësisht rezultateve të asaj politike. Krahu i djathtë i moderuar në Serbi është i pakënaqur me situatën në Kosovë, por ai nuk e fajëson Vuçiqin për këtë, por [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti dhe bashkësinë ndërkombëtare”, thotë Spasojeviq.

Koraq, në anën tjetër, mendon se Vuçiq, deri tani, ka qenë “qendra” e së djathtës dhe se koalicioni në pushtet gjithmonë ka përfshirë edhe disa opsione ideologjikisht më të djathta.

Ish-zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin dhe Lëvizja e tij e Socialistëve kanë bërë deklarata publike tejet nacionaliste dhe proruse.

Vulin njihet si mbështetës i së ashtuquajturës “botë serbe” dhe në shtator të vitit 2020 ka thënë se “Beogradi duhet t’i mbledhë brenda dhe rreth vetes të gjithë serbët” dhe se “presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve”.

Derisa ka qenë në krye të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë – BIA, Vulin ka udhëtuar rregullisht në Rusi dhe është takuar me zyrtarët atje.

Ministre e Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, aktualisht, është Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, e cila vjen nga partia e krahut të djathtë, Zavetnici.

Në muajin shkurt, atëkohë përgjegjëse për Departamentin e Kujdesit Familjar, Gjurgjeviq Stamenkovski ka marrë pjesë “në emër të partisë së saj” në tubimin zgjedhor të Alternativës për Gjermaninë (AfD) – një parti gjermane e ekstremit të djathtë.

Në atë tubim, ajo ka thënë se do të vijë koha kur e gjithë bota do të kujtohet se Kosova “ka qenë, është dhe do të mbetet Serbi”.

Partia Përparimtare Serbe, sipas Koraqit, ka edhe mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe, e cila është një institucion i rëndësishëm për votuesit e krahut të djathtë në Serbi.

“Kisha ka qenë e përmbajtur në lidhje me protestat e studentëve. Patriarku i ka quajtur ato revolucion me ngjyra në Moskë”, thotë Koraq.

Në prill, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i ka përcjellë presidentit rus, Vladimir Putin, mesazhe që dënonin “revolucionin me ngjyra” dhe “qendrat perëndimore të pushtetit”, duke aluduar në protestat masive që janë zhvilluar në Serbi që nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor.

Gjashtëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën si pasojë e këtij aksidenti.

“Diskurs i djathtë” në tubimet antiqeveritare

Flamuri i Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim” shihet këto ditë edhe në bllokadat e trafikut që janë duke i organizuar qytetarët dhe studentët protestues në Serbi.

Flamuj të tillë kanë mbajtur edhe disa demonstrues në protestën e madhe më 28 qershor, në Sheshin Sllavija në Beograd.

Në këto tubime nuk është parë ndonjë shenjë e orientimit proevropian.

Spasojeviq nuk mendon se kjo është një marrje e “diskursit të djathtë” nga pushteti, por thotë se bëhet fjalë për një funksion tjetër.

“Studentët kanë arritur të zgjerohen ideologjikisht në fushën e krahut të djathtë dhe, në këtë mënyrë, ta zvogëlojnë mundësinë që SNS-ja t’i kritikojë dhe t’i akuzojë si tradhtarë”, thotë ai.

Spasojeviq shton se, nëse formohet një listë e studentëve për zgjedhjet, ata “mund të marrin një pjesë të elektoratit të SNS-së nga ato pozicione të moderuara të krahut të djathtë”.

Në maj, disa studentë protestues kanë organizuar një maratonë nga Novi Sadi deri në Bruksel, për t’iu tërhequr vëmendjen zyrtarëve evropianë ndaj kërkesave të protestave që zgjasin tash e sa muaj.

Në prill, disa studentë kanë arritur me biçikleta në Strasburg – gjithashtu për të tërhequr vëmendjen e zyrtarëve evropianë për situatën në Serbi.

Megjithatë, Fakulteti i Filozofisë në Beograd, i cili është i bllokuar nga studentët, ka lëshuar një deklaratë në maj, duke thënë se nuk ka “kurrfarë pritjesh nga BE-ja”.

Koraq thotë se ende nuk është e qartë se ku e ka vendin krahu i djathtë në situatën aktuale politike.

“Është e vështirë të përgjigjem, sepse skena jonë politike është në trazira dhe në konfuzion të madh. Personalisht mendoj se studentët nuk janë të profilizuar politikisht dhe se ka dallime të mëdha mes tyre. Në Fakultetin e Filozofisë, për shembull, ekziston një grup anarko-sindikalistësh që janë ultra të majtë”, thotë Koraq.

Disa dallime ideologjike kanë qenë të dukshme që në dhjetor të vitit 2024, në një tubim studentor në Sheshin Sllavija, ku ka ndodhur një përplasje mes grupeve të të rinjve, pas shfaqjes së një flamuri të BE-së në protestë.

Një incident i ngjashëm ka ndodhur më 17 nëntor edhe në Novi Sad, gjatë një proteste qytetare, pas tragjedisë në këtë komunë.

Që nga fillimi i protestave në fund të vitit të kaluar, studentët kanë theksuar se ato nuk janë partiake dhe ua kanë ndaluar partive opozitare shfaqjen e simboleve të tyre.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*